English

Kisha Ortodokse: Dita e Ujit të Bekuar, kuptimi, ceremonitë dhe tradita e festimeve

Tiranë, 6 Janar, NOA - Mijëra qytetarë marrin pjesë në festimet e 6 janarit, atë që quhet edhe Dita e Ujit të Bekuar.

“Në këtë ditë, e gjithë natyra shenjtërohet me Pagëzimin e Zotit Jisu Krisht. Krishti në moshën 30-vjeçare erdhi në Jordan tek Joan Pagëzori që të pagëzohej prej tij. Me pagëzimin e Tij, shenjtëroi natyrën e ujërave dhe varrosi në lumin e Jordanit mëkatet e njerëzimit”, thuhet në njoftimin përkatës që Kisha Ortodokse ka lëshuar për këtë ditë.

Sipas saj, kjo e kremte nis që në datën 5 janar, kur kryhen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit.

Më datën 6 kryhet shërbesa e Liturgjisë së Joan Gojartit, shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit si edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit. Mjaft qartë edhe Zoti predikoi domosdoshmërinë e pagëzimit duke thënë: “Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë” (Marku 16: 16). Edhe tek apostujt dha porosinë të predikojnë ungjillin “duke i pagëzuar në emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë” (Marku 28: 19).

Brenda dhe jashtë, kishat mbushen me qindra besimtarë të ardhur në festën zotërore “të Dritave”.

Të mbledhur së bashku për të adhuruar Perëndinë, por edhe për të ndarë mesazhet e kësaj të kremteje që i jep vetë shërbesa e bekimit të ujit siç quhet ndryshe edhe Ajazma e Madhe, besimtarët krijojnë një atmosferë të vërtetë festive.

Dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kjo festë quhet e dritës sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq te njerëzit. Ai u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore.

Dita e shfaqjes së Perëndisë Triadik prej së larti përbën edhe hapjen e rrugës për të gjithë drejt shpëtimit.

Në pagëzimin e Tij, Krishti fillon të predikojë ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej, por tregoi edhe ne se duhet të ecim në rrugën që Ai vetë e filloi.

Pas shërbesës së Bekimit të ujit, besimtarët marrin ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE