Tiranë, 6 janar 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për betejën elektorale të zgjedhjeve lokale.
Burime zyrtare brenda kësaj partie bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA, se ndër të gjithë kandidatët prioritar mbetet ai që do të garojë në kryeqytet.
Ndër kandidatët e mundshëm për këtë betejë, fliten personalitete me peshë në këtë parti, por që për momentin emrat e tyre nuk bëhen publik.
Zgjedhjet lokale të parashikuara të zhvillohen në muajin Maj të këtij viti, nga ana e kësaj partie shikohen si një sfidë që LSI i bën vetes.
Lëvizja Socialiste për Integrim, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme është bërë pjesë e koalicionit qeverisës.
Ndërkohë që Presidenti i vendit, Bamir Topi ka dekretuar datën e zgjedhjeve.
“Në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe
93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, paragrafi 1 të ligjit nr. 10 019, datë
29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, zgjedhjet për organet e
qeverisjes vendore, zhvillohen ditën e diel, më datë 8 maj 2011”, thuhet në
vendimin e kreut të shtetit.
Ndërkohë që opozita ende konteston rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, të
mbajtura në 28 qershor të vitit 2009.
a.y/NOA