Tiranë, 6 Janar, NOA - Me mbylljen e festave të fundvitit, rreth 645 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin nisin sot mësimin.
Pushimet e fundvitit filluan për nxënësit më 24 dhjetor 2010, sipas një kalendari të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Risia e këtij viti shkollor për nxënësit është se gjatë gjithë vitit ata do të ketë disa periudha pushimesh, nga të cilat do të përfitojnë edhe mësuesit.
Periudha e parë e pushimeve ishte nga data 27 tetor 2010- 31 tetor 2010 dhe më pas filluan pushimet e fundvitit.
Por nxënësit do të kenë edhe një periudhë të tretë pushimesh, që do të nisë më 28 mars 2011 dhe do të mbarojë më 3 prill.
Për të gjithë sistemin e arsimit bazë parauniversitar në Shqipëri viti shkollor do të përfundojë më datë 10 qershor të vitit 2011.
Klasat e nënta të këtij sistemi do të zhvillojnë provimet e lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor të vitit 2011.
Në shkollat e mesme, viti shkollor nisi më 6 shtator dhe do të mbarojë më 17 qershor, ndërsa vetëm për klasat e 12 mësimi përfundon më 24 maj të vitit 2011.
Që prej tre vitesh, fëmijët dhe nxënësit janë përfshirë në strukturën arsimore 5+4+3, e ngjashme me sistemin e shumë vendeve të rajonit dhe Europës.
n.e/NOA