Berat, 6 janar 2011, NOA- Me rastin e 6 Janarit, festës së Ujit të Bekuar, Ministri Genc Pollo, mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së Kryqit, simbol i ditës së pagëzimit të besimtarëve ortodoksë, në qytetin e Beratit.
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëherësh deputet i këtij rrethi pasi ka ndjekur nga afër të gjithë ceremoninë e hedhjes dhe kapjes së Kryqit, është drejtuar, së pari, në Katedralen e Shën-Dhimitrit, ku janë bërë dhe ritet fetare të rastit.
Më pas, i shoqëruar nga Prefekti i Qarkut, Bujar Hoxhaj, dhe drejtues të tjerë vendorë, është drejtuar për të bërë urimet e kësaj dite në Metropolinë e Beratit, në të cilën janë pritur nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, imzot Ignati.
Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo foli për rëndësinë e kësaj dite dhe veçantinë e mënyrës se si kjo ditë kremtohet në qytetin e Beratit.
“Ajo që bëhet në Berat është e veçantë, jo vetëm në Shqipëri, por, pa ekzagjerim, edhe në të gjithë botën. Është një ditë e shumëkuptimtë, jo vetëm në domethënien fetare, por edhe në përfshirjen e të tërëve në këtë garë, nga e cila përfitohen shumë gjëra të mira e të bukura’, u shpreh ai gjatë fjalës së mbajtur para qytetarëve beratas.
Kjo ditë në Berat shndërrohet në një festë masive, ku besimtarë ortodoksë, por edhe të besimeve të tjera, mblidhen së bashku për të parë nga afër shfaqjen e hedhjes dhe kapjes së Kryqit në ujë.
a.y/NOA