English

Pasqyra e Shtypit, 6 Janar 2011

Tiranë, 6 Janar, NOA - Gazetat shqiptare kanë si artikull të tyre kryesor incidentin e ndodhur dje në orët e mbrëmjes në Bllok, ku nipi i ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani u plagos me armë nga nipi i diktatorit Enver Hoxha.

Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i djegies së kutive të votimit të 28 qershorit 2009, si edhe një krimi të ndodhur në mes të Bulqizës nga bandat për kromin.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Nipi i Enverit, plagos nipin e Çarçanit”, i cili paraqet incidentin e ndodhur dje në Bllok, me detajet përkatëse.

“Zgjerohet skandali i konkurseve të Mjekësisë”, është një artikull që citon fakte nga shitja e të drejtës për të studiuar mjekësi.

“Vlorë/ Përcillen fëmijët e vdekur nga zjarri, babai: S’na mbeti as foto” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Plumb në lokal/ Nipi i Enverit, plagos nipin e Adil Çarçanit”, i cili flet për plagosjen e djeshme në Bllok mes nipërve të bllokmenëve.

“KQZ mban pezull listën e zgjedhësve, Ristani: Fletët e votimit do digjen pa e ndotur ambjentin”, është një tjetër artikull i gazetës i cili flet për vendimin e marrë nga KQZ mbi materialet zgjedhore të 28 qershorit 2009.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Rudina Seseri: Në Shqipëri po instalohet regjimi alla-Lulashenko”; “Dokumenti i sigurimit, përgjues edhe në dhomat e gjumit”; “Nëna e Bleonës padi 5 kushërirave: Njohin rrëmbyesin” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Sherr fëmijësh bllokmenësh në lokalin e djalit të Arta Dades”, i cili citon detajet e plagosjes së djeshme në Bllok.

“Bomba te VEFA në vitin 1996, 4 të vdekur dhe 27 të plagosur” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar ngjarjes së largët të viteve ’90.

Kurse “Artan Kristo: Xhihad për atë që pengon Islamin”, flet për qëndrimet e të dënuarit për terrorizëm.

Dhe një tjetër artikull është ai me titullin “Përplasje bandash në Bulqizë për kromin, vritet kalimtari”.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Nisin marrëveshjet parazgjedhore”, i cili tregon skenaret e para për marrëveshje partiake në prag të zgjedhjeve lokale.

“Bandat e kromit, luftë në mes të qytetit” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon krimin e djeshëm në qytetin e Bulqizës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Avdyl Loshaj tregon rrëmbyesit e Remzi Hoxhës”, “Trupat e ëngjëjve të vdekur, përcillen për në banesën e fundit” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Shefi i OSBE: KQZ vendim korrekt për kutitë”, i cili pasqyron qëndrimin e prezencës së OSBE mbi vendimin për djegien e kutive të procesit të fundit zgjedhor në vend.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete në vijim të këtij argumenti është edhe ai me titullin “Ristani/ Fletët e votimit, politika na pengoi punën”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Intervista/ Besnik Mustafaj: Si të rikuperohet imazhi i dëmtuar”.


Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 6 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE