Tiranë, 6 janar, NOA - Konsumatorët shqiptarë do të kenë së shpejti një kontratë të re të energjisë elektrike. Besjan Pesha, Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, deklaroi sot, se drafti për kontratën e re të energjisë elektrike mes konsumatorëve dhe CEZ Shpërndarje është hartuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe po diskutohet me të gjitha grupet e interesit.
Kontrata e re, tha Pesha, do t’i japë fund njëherë e mirë marrëdhënies problematike që konsumatorët shqiptarë kanë patur me CEZ Shpërndarje dhe do të vendosë një marrëdhënie të drejtë tregtare për energjinë elektrike. “Qëllimi kryesor i kontratës është mbrojtja e konsumatorit”, theksoi Besjan Pesha.
Duke shpjeguar kontratën e re të energjisë elektrike, kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit tha se një risi është parashikimi i një neni për dëmshpërblimin e konsumatorit në rast dëmtimi apo në rast se furnizimi me energji elektrike është i cunguar.
Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit bëri me dije se, njëkohësisht po punohet edhe me Entin Rregullator të Ujërave për një kontratë të re të konsumatorëve për ujin e pijshëm. Të dy këto kontratë, sipas z. Pesha, do të jenë gati për konsumatorët brenda muajit shkurt të këtij viti.
Z. Pesha, si po ecën puna për kontratën e re të energjisë elektrike për konsumatorët me CEZ Shpërndarje?
Siç u kemi premtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë që në këtë vit të ri, në vitin 2011, të gjithë do të pajiseshin me kontrata të reja për energjinë elektrike, në mënyrë të tillë që t’i japim fund njëherë e mirë një marrëdhënie problematike, atë që shqiptarët kanë patur me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ Shpërndarje, është përgatitur një draft nga ekspertë të Entit Rregullator të Energjisë, i cili po shikohet me kujdes nga specialistët e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit. Këtë draft jemi duke ua shpërndarë të gjitha grupeve të interesit, përfshirë këtu të gjitha grupet e biznesit, shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit, por edhe grupeve të tjera që janë të interesuara për të dhënë mendimin e tyre, në mënyrë të tillë që deri në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt ne të mundësojmë dhe të kemi një kontratë që të ketë marrë konsensusin e të gjitha palëve, dhe të sigurojë njëherë e mirë mbrojtjen e konsumatorit shqiptar në rastin e shkëmbimit tregtar të energjisë elektrike, por edhe vendosjen e një marrëdhënie të re tregtare për këtë fushë shumë problematike, e cila prek çdo qytetar shqiptar, qoftë gjatë orarit të punës, por edhe gjatë orarit që ai ndodhet në shtëpi. Kjo kontratë është një produkt shumë i rëndësishëm dhe ndaj dua të përfitoj dhe të bëj thirrje që të gjitha shoqatat e shoqërisë civile, të gjitha grupet e interesit, të gjitha grupimet e biznesit, të klikojnë në sitin e ERE ose të METE, të marrin draft kontratën dhe të na japin sa më parë komentet e tyre. E ritheksoj edhe njëherë që qëllimi kryesor i kësaj kontrate është mbrojtja e konsumatorit dhe vendosja e një marrëdhënie të drejtë për këtë shkëmbim tregtar, në rastin konkret të energjisë elektrike.
A ka ndryshime kontrata e re me kontratën e mëparshme?
Ka ndryshime thelbësore sepse për herë të parë ne do të fusim konceptin e mbrojtjes së konsumatorit, do të fusim detaje të marrëdhënies tregtare për shkëmbimin e energjisë elektrike, ashtu siç po kërkojmë si Komision i Mbrojtjes së Konsumatorit që të ketë një nen që parashikon dëmshpërblimin e qytetarit në rastin e dëmtimit të tyre si rrjedhojë e shërbimit të keq apo shërbimit të cunguar që mund të vijë me energji elektrike. Po ashtu, do të parashikohen edhe masa që mund të merren në rast se qytetari dëmton kompaninë apo rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kontrata është një risi. Është një kontratë që do të jetë model. Mund t’ju them se nuk do të jetë e vetmja, pasi shumë shpejt, së bashku me Entin Rregullator të Ujërave ne do të prezantojmë edhe kontratën e re për furnizimin me ujë të pijshëm, për të mbyllur kështu ciklin problematik të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Pra, mund të themi se për muajin shkurt të gjithë konsumatorët shqiptarë mund të kenë kontratat e reja në duar?
Unë besoj se brenda muajit shkurt kjo kontratë do të jetë miratuar dhe do të fillojë të shpërndahet te të gjithë qytetarët, në mënyrë që gjithsecili të ketë një kontratë të vlefshme me CEZ Shpërndarje, por çfarë është më e rëndësishme, që gjithsecili të ketë një marrëdhënie të ndershme tregtare përsa i përket shkëmbimit të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm.
Përfaqësuesit e CEZ Shpërndarje a janë njoftuar për këtë kontratë të re dhe a do ta miratojnë?
Sigurisht që janë njoftuar për këtë kontratë të re. Më duhet të theksoj që kontratën e miraton Enti Rregullator i Energjisë, pasi është konsultuar me të gjitha palët dhe ka marrë opinionin e tyre. Miratimi i kontratës është kompetencë e ERE.
a.k/NOA