English

Thaçi: Maqedonasit kërkojnë shtet pa shqiptarët

Shkup, 6 janar, NOA - Kryetari i Partisë Demokratike opozitare Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, parashikon se edhe gjatë këtij viti qeveria në Shkup nuk do të bëjë përparime në procesin e afrimit të vendit në integrimet euroatlantike.

Arsye për këtë ai përmend refuzimin e gjetjes së zgjidhjes me Greqinë për çështjen e emrit si dhe të kërkesave të shqiptarëve për barazi.

'Maqedonasit vazhdojnë tendencën e tyre, herëpashere publike e herëpashere të fshehur, për ngritjen e shtetit të tyre etnik maqedonas,”- tha Menduh Thaçi.

Sipas tij, këto probleme mund të kapërcehen me atë që ai e quajti ndërrim i konceptit për shtetin dhe përkufizimin e Maqedonisë si shtet të maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Vazhdohet që shqiptarët të trajtohen nën nivelin pakicave kombëtare, të shteteve të tjera që janë në Evropë, dhe ky problem i këtij moskohezioni të brendshëm mendoj se në mënyrë të drejtpërdrejtë shkon bashkë edhe me atë mungesën e përparimit drejt procesit integrues”, tha Thaçi.

Ai shtoi se janë disa çështje, si enciklopedia, detyrimi i shqiptarëve që të mësojnë maqedonishten dhe shumë probleme të tjera që flasin se maqedonasit nuk kanë ndërmend që të punojnë për ngritjen e shtetit multietnik.

a.k/NOA/BBC

KOMENTE