Tiranë, 6 janar 2011, NOA – Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, e para për vitin 2011, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili deklaroi se është miratuar projektligji për sigurimet shëndetësore, duke ruajtur në vlerë të pandryshuar përqindjen e kontributit të detyrueshëm shëndetësor në 3.5 përqind. Duke e cilësuar si një arritje historike miratimin e këtij projektligji ministri Vasili e cilësoi atë si një element kyç të reformës në shëndetësi.
“Me miratimin e këtij projektligji mund të themi me plot gojën që Shqipëria po projekton një shërbim shëndetësor mbrojtës, cilësor e të kontrollueshëm për të gjithë popullatën”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.
Sipas Vasilit, pas këtij vendimi, Instituti i Sigurimeve shëndetësore shndërrohet në Fond Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore në Shqipëri duke krijuar mundësi të gjera për transparencë të plotë në administrimin dhe besueshmërinë maksimale të të siguruarve që kanë derdhur fonde pranë këtij instituti.
Ministri Vasili theksoi sakaq se “Skema e re e sigurimeve shëndetësore synon mbulimin total të popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor të financuara nga sektori publik dhe privat.
Kjo skemë stabilizon si personat ekonomikisht aktivë edhe personat jo aktivë.
Të dyja kategoritë janë të siguruara në skemën e sigurimeve shëndetësore me ndryshimin e vetëm që kategoria e parë paguan vetë kontributet, ndërsa për të dytën do të paguajë buxheti i shtetit.
“Ministria po konsolidon rolin e saj si politikbërëse”, sqaroi ministri Vasili, duke e cilësuar projektligjin si thelbin e reformës në sistemin shëndetësor.
“Një nga risitë e këtij projektligji është paraqitja e fondit në ushtrimin e funksioneve të tij nëpërmjet hartimit dhe bërjes së paketave të shërbimeve shëndetësore nga institucionet e shërbimeve shëndetësore, Në mënyrë të posaçme në këtë projektligj trajtohet dhe problemi i bashkëpagesës duke konfirmuar parimin e bashkëpjesëmarrjes në mbulimin e çmimit të shërbimeve nga personat e siguruar”, nënvizoi ministri i Shëndetësisë.
Ai nënvizoi se “Masa e kontributit të detyruar shëndetësor është 3.4 përqind për llogaritjen e kontributeve për të gjitha kategoritë e mbuluara nga skema. Për të punësuarit kontributet paguhen në masën 50 përqind nga punëdhënësi dhe 50 përqind nga punëmarrësi. Mbledhja e kontributeve parashikohet të bëhet nga organet tatimore në përputhje me legjislacionin relevant në Shqipëri”.
Zoti Vasili informoi se “Ligji përcakton krijimin e rregjistrit kombëtar të kontribuesve dhe urgjencat mjekësore falas për të gjithe qytetarët”.
Sipas tij në dallim nga të gjitha vendet e tjera evropiane, projektligji eliminon në mënyrë përfundimtare çdo lloj abuzimi.
“Ky projektligj ndërton një sistem raportimi që përcakton qartë numrin e popullsisë ekonomikisht joaktivë dhe përcakton saktësisht masën e kontributit që shteti duhet të paguajë. Çdo lloj pagese tashmë do të kalojë vetëm në filtra normalë duke eleminuar pagesat nëndorë si një fenomen të shëmtuar nga i cili sistemi shëndetësor po ndahet njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili.
mit/NOA