English

Vetëvendosje: Rritja e pagave antikushtetuese, karrem elektoral i Thaçit

Prishtinë, 6 janar 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e ka cilësuar vendimin e qeverisë së Hashim Thaçit për rritjen e pagave të punonjësve të shërbimeve publike si dhe arsimtarëve, ish-veteranët e luftës, minatorët, policët, e disa kategorive të tjera sociale si një vendim me prapavijë elektorale. Në një konferencë të posaçme për mediat, Vetëvendosje theksoi se “Vendimi i sotëm i kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi, për rritje të rrogave një pjese të punëtorëve të shërbimeve publike dhe një pjese të kategorive sociale, është vendim antikushtetues në njërën anë dhe shpërdorim i parasë publike pa asnjë planifikim nga ana tjetër”.

Sipas Vetëvendosjes, Hashim Thaçi nuk ka të drejtë si kryeministër në dorëheqje që të marrë vendime për rritje pagash, pasi sikundër tha ajo, kjo qeveri nuk ka fuqi ekzekutive e aq më pak për çështje buxhetore, pasi është antikushtetuese se buxheti nuk mund të miratohet pa u konstituuar Kuvendi i ri Kosovës.

“Rrjedhimisht ky vendim i Hashim Thaçit nuk ka bazë kushtetuese, por është shkelje e rradhës që po përdoret si karrem për të fituar votat e qytetarëve të varfër të Kosovës. Deklarata e tij se ky vendim nuk ishte vetëm premtim elektoral, bëhet pikërisht në ditën e dytë të mini-fushatës elektorale për ri-votim në tri komuna të Kosovës, me çka demaskohet në tërësi arsyeja e marrjes së këtij vendimi”, bën me dije lëvizja Vetëvendosje.

Ajo siguroi se është pro rritjes së pagave për të gjitha kategoritë shoqërore, porse ajo thekson se “rritja e vërtetë e pagave është atëherë kur sigurohen dhe respektohen kontratat e rregullta të çdo punonjësi civil, kur nuk u rrezikohet vend i punës për shkak të privatizimit apo përkatësisë partiake dhe kur institucionet shtetërore sigurohen se çmimet e produkteve bazë mbesin në raport reciprok me pagat, në mënyrë që të sigurohet jetesa dinjitoze e çdo punonjësi”.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideroi këtë vendim të Hashim Thaçit imoral, sepse në këtë mënyrë luhet me varfërinë e qytetarëve të Kosovës, të cilët mezi kalojnë muajin pikërisht për shkak të mungesës së politikës ekonomike të ish-qeverisë, e cila e katandisi vendin në gjendje të rëndë.

mit/NOA

KOMENTE