English

Belgjika, mbi 200 ditë pa qeveri

Bruksel, 7 janar, NOA - Megjithë përpjekjet për ndërmjetësim kriza qeveritare belge duket se s'ka ndër mend të përfundojë. Partitë nuk po arrijnë që prej qershorit 2010 të bien dakord për reformën e shtetit dhe për krijimin e qeverisë së re.

Shtatë partitë më të rëndësishme të vendit vendosën sërish ta shtyjnë afatin e caktuar prej ndërmjetësuesit, pa rënë dakord për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta për koalicionin qeveritar.

Meqenëse pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit partitë e mbledhura në bisedime për formimin e koalicionit nuk mundën të arrinin në asnjë rezultat, në tetor 2010 mbreti Alberti II caktoi një ndërmjetësues.

Ai kishte përgatitur një propozim kompromisi, si bazë për bisedimet e reja dhe u caktoi partive një afat, për rifillimin e bisedimeve deri më 5 janar. Dy prej partive refuzuan ta pranojnë kompromisin. Sipas medieve belge, propozimi për kompromis parashikon ndër të tjera shkurtimin e të drejtave të pakicës së frankofonëve në Flandër.

Separatisti flamand Bart De Wever është i lehtësuar, sepse ai nuk është më i vetmi që e refuzon kompromisin. Edhe Wouter Beke, shefi i demokristianëve flamandë, është kundër dokumentit të kompromisit për fillimin e bisedimeve për krijimin e qeverisë. "Përfundimi qendror është që ne kërkojmë përmirësime në disa pika thelbësore."

Të gjitha partitë e tjera, si nga pala flamande edhe nga ajo valone janë pro propozimeve për reformën e shtetit. Pika kryesore e saj është që rajoneve t'u jepet më tepër autonomi në çështjet financiare dhe ato të taksave. Kjo do të thoshte që Flandra do të paguajë më pak për Valoninë, që është më e varfër. Problem përbëjnë edhe mosmarrëveshjet për gjuhën e vendit. Politikani socialist Bruno Tuybens tha se "kundërshtarët e kompromisit duhet të kandidojnë në një vend me emri "Utopi".

Në rast se bllokada do të vazhdojë, në vend bëhen të pashmangshme zgjedhjet e reja. Prej zgjedhjeve të qershorit 2010 kanë kaluar 200 ditë që vendi është pa qeveri. Një rekord ky në historinë 180 vjeçare të vendit.

Gjithsesi përfytyrimet për fundin e Belgjikës janë të nxituara. Sipas anketimeve edhe në Flandër pro shpërbërjes së Belgjikës janë vetëm një pakicë. Të forta janë vetëm kërkesat për më tepër autonomi rajonale. Dhe pikërisht këtë e merr parasysh edhe dokumenti i kompromisit.

Deutsche Welle

KOMENTE