Tiranë, 7 janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore Ngozi Okonjo-Iweala do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë nga data 9 deri në 11 janar, konfirmuan sot për agjencinë NOA, burime zyrtare ng Banka Botërore, selia e Tiranës. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të theksojë rëndësinë e "Axhendës së re të rritjes" për Shqipërinë dhe të shprehë mbështetjen që Banka i jep qeverisë bazuar në Strategjinë e Partneritetit për Vendin.
Gjithashtu, ajo do të shprehë solidaritetin e Bankës me të dëmtuarit nga përmbytjet e fundit masive në zonën e Shkodrës si dhe do të diskutojë mbi mbështetjen e mundshme për zbutjen e rreziqeve në të ardhmen.
Gjatë vizitës së saj tri ditore znj. Ngozi Okonjo-Iweala do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, kreun e opozitës z. Edi Rama, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Ajo do të vizitojë gjithashtu edhe disa projekte të financuara nga Banka Botërore.
Drejtoresha e Bankës Botërore do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha ditën e hënë më 10 janar në orën 12.00 në Këshillin e Ministrave.
Gjithashtu, do të mbajë një ligjëratë titulluar "Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor: Si t'i përgjigjemi krizës - Sfida dhe mundësi" për akademikët dhe studentët e universiteteve publike dhe private.
Ky aktivitet do të zhvillohet ditën e hënë, 10 janar në orën 15.00 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në Rrugën e Elbasanit.
Kush është Dr. Ngozi Okonjo-Iweala
Dr. Ngozi Okonjo-Iweala është aktualisht Drejtoreshë e Lartë në Bankën Botërore, një post që përfshin mbikëqyrjen e posaçme të operacioneve të Bankës në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Azinë Jugore dhe Afrikë. Dr. Okonjo-Iweala ka drejtuar përpjekjet e Bankës për të ndihmuar vendet e prekura shumë nga kriza ushqimore, energjetike dhe financiare.
Tani ajo kryeson përpjekjet për mbledhjen e fondeve për Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) – krahu i Bankës Botërore, që jep mbi 14 miliardë grante dhe hua pa interes në vit për vendet më të varfra të botës.
Që nga viti 2003 deri në 2006, Dr. Okonjo-Iweala ka qenë Ministre e Financave dhe më pas Ministre e Punëve të Jashtme të Nigerisë. Si Ministre e Financave, ajo kryesoi negociatat me Klubin e Kreditorëve të Parisit, të cilat shpunë në faljen e borxhit të jashtëm të Nigerisë prej 30 miliardë dollarë amerikanë, rfshirë fshirjen e plotë të 18 miliardë dollarë amerikanë.
Duke ndërmarrë një hap vendimtar në luftën kundër korrupsionit, Dr. Okonjo-Iweala i hapi financat e qeverisë ndaj kontrollit të publikut, duke botuar në gazeta akordimet financiare mujore të Qeverisë Federale për shtetet dhe qeveritë lokale. Dr. Okonjo-Iweala u bë Bashkëpunëtore e Shquar e Jashtme të Institutit Brookings nga viti 2006 deri në 2007.
Më parë, Dr. Okonjo-Iweala kishte ndjekur një karrierë 21 vjeçare si ekonomiste për zhvillim në Bankën Botërore, ku ajo mbante postin e Nën Presidentes dhe të Sekretares së Korporatës.
Ajo kishte punuar gjithashtu edhe si Drejtore Vendi për Malajzinë, Mongolinë, Laosin, dhe Kamboxhian gjatë krizës financiare të Azisë Lindore, Drejtore e Operacioneve në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe Drejtore e Ndryshimeve Institucionale dhe Strategjisë, ku ndihmoi për zbatimin e programit të Bankës për reforma.
Dr. Okonjo-Iweala është themeluese e Sondazheve NOI-Gallup, organizata e parë e krijuar për studimin e opinioneve të popullsisë indigjene në Nigeri. Ajo është bashkëthemeluese e Fondit Makeda, një fond kapitalesh private prej 50 milionë dollarë për të investuar në sipërmarrje të vogla dhe të mesme në pronësi të grave në Afrikë, por ajo ka themeluar edhe Qendrën për Studimin e Ekonomive të Afrikës (C-SEA), një qendër studimore për kërkime zhvillimore me qendër në Abuja, Nigeri.
Si kryetare e Institutit Nelson Mandela, ajo është anëtare themeluese e Instituteve Afrikane të Shkencës dhe Teknologjisë (AIST) për krijimin e komunitetit të të mësuarit në shkencë dhe teknologji në Afrikën e Sub-Saharasë.
Dr. Okonjo-Iweala është gjithashtu anëtare e shumë bordeve dhe grupeve këshillimore, duke përfshirë Fushatën Një, Qendrën për Zhvillim Global (CGD), Fondacionin Rockefeller, Institutin e Burimeve Botërore, dhe Fondacionin Global të Udhëheqësve të Rinj të Forumit Ekonomik Botëror.
Dr. Okonjo-Iweala ka marrë çmime të shumta, si Heroinë Evropiane e Vitit e Revistës Time, 2004, Ministrja Globale e Financave 2005, e Revistës Euromoney. Në 2006, ajo u quajt nga Revista Forbes si njëra nga 100 gratë më të fuqishme të botës.
Ajo është portretizuar në Portofolin e Revistës Conde Nast International Business Intelligence si një nga 73 influencueset e “Ndritura” të biznesit në botë dhe ka marrë grada nderi nga universitete prestigjioze, duke përfshirë Universitetin Brown, ShBA, dhe Kolegjin Trinity, Universitetin e Dublinit, Irlandë. Ajo ka marrë Çmimin prestigjioz për 2010, Bishop John T. Walker për Shërbime të Shquara Humanitare, dhënë nga Africare.
Dr. Okonjo-Iweala është arsimuar në Universitetin Harvard dhe ka Doktoraturë për Ekonomi Rajonale dhe Zhvillim nga Instituti i Teknologjisë i Massachusetts. Ajo është e martuar me kirurgun Dr. Ikemba Iweala dhe ka katër fëmijë. I biri, Uzodinma Iweala, është autor i romanit të mirëpritur nga kritika, Beasts of No Nation (Kafshë pa kombësi).
e.t/NOA