Tiranë, 7 janar, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta prezantoi sot zyrtarisht si anëtarë të LSI-së, ish-deputetin e PS-së, Durim Hushi dhe ish-anëtarin e Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani.
“Dua të shpreh kënaqësinë që jam sot përpara jush me dy kolegë të njohur dhe të nderuar të jetës politike dhe publike në vend dhe t'u uroj atyre njëkohësisht mirëseardhjen në LSI. Pra, me zotin Durim Hushi një politikan i njohur dhe deputet i njohur në disa legjislatura dhe zotin Ylli Manjani politikan i njohur dhe ekspert i njohur i çështjeve ligjore”, tha Meta në një konferencë për mediat në selinë e LSI-së së bashku me Manjanin dhe Hushin.
Meta u shpreh se këto hyrje të reja janë dyshim e hapjes së LSI-së. “Në këtë rast përveçse falënderimit për zgjedhjen që ata kanë bërë dua të shpreh besim tim se kapacitetet që ata përfaqësojnë, eksperienca e tyre, përvoja pozitive që kanë pasur gjatë kësaj periudhe të angazhimit politik dhe publik jo vetëm që janë të mirëpritura në LSI, por jam i bindur se do të kontribuojnë në realizmin e objektivave tona të përbashkëta në emër të një politike më konstruktive në Shqipëri”, tha Meta.
a.k/NOA