English

Grabisnin paratë duke i ndihmuar shoferët për gomën, arrestohen 3 persona

Durrës, 7 janar, NOA - Pasi u shponin gomat makinave, u afroheshin drejtuesve të mjetit për tu dhënë ndihmë dhe më pas i vidhnin. Kjo ishte mënyra sesi tre persona nga Tirana kryenin grabitjet e tyre në rrugën Tiranë-Durrës.

Tre personat e arrestuar ,në tre ditë të ndryshme, janë; Klodian Sejfullai, 33 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lendeve narkotike dhe vjedhje, Alban Shahini, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Igli Zhukri, 36 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë tre persona vidhnin paratë duke u shpuar gomave të automjeteve. Pasi arrinin t’iu shponin gomat mjeteve në lëvizje, iu bënin me dije drejtuesve të mjeteve defektin dhe ofronin ndihmën e tyre.

Ndërkohë njëri prej bashkëpunëtorëve, duke përfituar nga tërheqja e vëmendjes, kryente vjedhjen në automjet.

Në këtë mënyrë ata kanë vjedhur në datën 12 nëntor 600 euro në kilometrin e pestë të rrugës interurbane Durrës-Tiranë.

Grabitja është bërë në automjetin tip Citroen C 3 me drejtuese M.P.

Po ashtu më datë 1 dhjetor në lagjen 13 Durrës, i kanë vjedhur një çantë me një sasi bizhutesh në të personit N.I., 49 vjeç, banues në Gostivar Maqedoni.

Një tjetër vjedhje e dokumentuar është ajo në në lagjen 14 Durrës, ku në ambientet e një magazine, në furgonin me targa EL 3577 C, kanë vjedhur shumën prej 945 000 lekësh.

a.k/NOA

KOMENTE