Tiranë, 7 janar 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto në konferencën e parë për vitin 2011, përshëndeti njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Katarit.
“Unë besoj se njohje të reja do të vazhdojnë dhe kjo do të jetë përgjigja më e merituar ndaj këtij raporti dhe ndaj fushatës kundër Kosovës dhe procesit të njohjeve të reja”, u shpreh Haxhinasto.
Lidhur me mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Evropës ku do të shqyrtohet raporti i Dick Martit, ai tha se në këtë mbledhje Republika e Shqipërisë ka ofruar të gjithë gatishmërinë e mundshme në mbrojtje të çështjes së Kosovës.
“Ne do të vazhdojmë ta bëjë këtë gjë edhe në të ardhmen me institucionet ndërkombëtare që lidhen me hetimin e pretendimeve plotësisht të pabaza të ngritura në raport, në mënyrë që të hetohet përsëri dhe t’i jepet përgjigje përfundimtare të gjitha këtyre pretendimeve të paqëndrueshme”, deklaroi Haxhinasto.
Lidhur me raportin e komisionerit Dick Marti, Ministri i Jashrtëm theksoi se ky raport mund të vonojë pak procesin e njohjeve, por, në asnjë mënyrë, nuk mund ta pengojë atë.
Bashkëpunimin e PS-PD për raportin e Dik Martin, e cilësoi si një bashkëpunim që do të ndodhë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit.
“Parlamenti shqiptar ka filluar punën e tij për të përgatitur pjesëmarrjen në Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës të datës 25 janar. Mendoj se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm, pasi këtu kemi të bëjmë më një çështje që del përtej interesave partiake”, përfundoi Haxhinasto.
a.y/NOA