Tiranë, 7 janar, NOA, Update – Ish-anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ylli Manjani deklaroi sot se është i gatshëm të jap kontributin e tij si jurist në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Duke e cilësuar këtë forcë politike si një faktor në stabilitetin e vendit, Manjani u shpreh se do të jetë pjesë e një grupi juristësh në LSI që do të punojnë për çështjet teknike.
“Integrim fillon nga stabiliteti politik i vendit, për të cilat ne duhet të kontribuojmë për alternativat si parti. Unë jam i gatshëm ta bëj këtë gjë, do ta bëj me shumë kënaqësi në përbërje të një grupi shumë modern juristësh, djemsh dhe vajzash, edhe të vjetër, por të rinj në mentalitet të cilët i kam gjetur në LSI”, tha Manjani gjatë konferencës së përbashkët me kreun e LSI-së, Ilir Meta dhe ish-deputetin e PS-së, Durim Hushi.
Ai u shpreh se projekti më i madh që ka sot Shqipëria është projekti për integrimin e Shqipërisë në Europë.
Ai shprehu vlerësime për LSI-në dhe drejtuesin e saj Ilir Meta në lidhje me angazhimin që ka pasur për integrimin vendit.
“Nuk ka interes as të vogël dhe as të madh se sa integrimi europian i Shqipërisë. Kam vendosur me koshiencë maksimale që t'i bashkohem këtij projekti duke gjetur një mikpritje shumë të ngrohtë politike dhe njerëzore dhe për këtë jam sot këtu për të falënderuar përzemërsisht LSI-në dhe zotin Meta në mënyrë të veçantë sepse me gjithë mend na krijon mundësi që ti bashkojmë këto kontribute modeste që kemi me shpresë që t'i përmirësojmë në të ardhmen për të integruar dhe për të bërë sa më shpejt të mundur integrimin Shqipërisë në Europë”, tha Manjani.
a.k/NOA