Tiranë, 7 janar, NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet do të organizojë një fushatë për nënshkrimin nga të gjithë shqiptarët të një peticioni kundër raportit të Dik Martit. Nisma është bërë publike sot nga Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Pjesë e këtij projekti do të jenë dhe drejtuesit organizatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kreu i PDU-së u takua sot me drejtuesin e Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK në Kosovë, Muharrem Xhemajl, ku prezantoi vijimin e kësaj nisme edhe në Shqipëri.
Gjatë takimit, Idrizi u shpreh se këtij peticioni “i duhet dhënë karakter mbarëkombëtar”. Idrizi ka shtuar se ky peticion duhet të shkojë në Këshillin e Europës, dhe të mos mbetet për konsum të brendshëm.
“Raporti i Dik Martit, fyen shqiptarët si komb, kudo që janë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, ndaj ai meriton një përgjigje kombëtare”, tha Idrizi, duke shtuar se duhet një reagim i gjithë faktorit politik shqiptar ndaj raportit.
Idrizi u shpreh se pala shqiptare duhet të koordinohet me faktorin perëndimor, në mënyrë që raporti të rrëzohet në 24 janar.
“Vetëm rrëzimi i plotë i raportit do ta hiqte njollën që Serbia, nëpërmjet duarve të një parlamentari zviceran do t’i vendosë kombit shqiptar, kombit më properëndimor në Ballkan”, tha Idrizi.
Në lidhje me këtë nismë, Idrizi shtoi se Partia Drejtësi dhe Unitet do të marrë përsipër krijimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për të realizuar këtë peticion dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ta nënshkruajnë atë, si një shenjë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe reagimit mbarëkombëtar ndaj shpifjeve të raportit të Dik Martit.
Në takim, mori pjesë dhe koordinatori i Klubit të Patriotëve të rinj, Jetmir Sala, i cili shprehu gatishmërinë e këtij organizimi për të bashkëpunuar për realizimin e suksesshëm të këtij peticioni.
a.k/NOA