English

Rasti “Medicus”, debati për trafikimin e organeve në Prishtinë

Prishtinë, 7 janar, NOA - Një Gjykatë e Qarkut në Prishtinë pritet që brenda 15 ditësh të marrë një vendim për fillimin ose jo të gjykimit kundër shtatë personave të dyshuar për trafikim të organeve njerëzore dhe krim të organizuar.

Të enjten prokurori ndërkombëtar ka paraqitur akuzat në një seancë të dytë të konfirmimit në Gjykatë.

Të akuzuarit kanë kundërshtuar pretendimet e ngritura nga prokurori i çështjes. Në mesin e shtatë të akuzuarve ndodhen edhe mjekë dhe një person që më parë ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që është lëshuar edhe një fletë-arrest ndërkombëtar për dy persona të tjerë, njëri shtetas izraelit dhe tjetri turk, të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

Sipas akuzës, shtetasit nga Kosova kanë rekrutuar afro 20 shtetas të huaj, kryesisht nga Moldavia, Rusia, Kazakistani dhe Turqia, të cilëve u janë premtuar, siç thuhet, 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave ndërkaq marrësve u janë kërkuar të paguanin deri në 100 mijë dollarë.

Prokurori i çështjes, tha se dhuruesit ishin sjellë në Kosovë me pretendime te rrejshme.

Akuza për trafikim të organeve ndërlidhet me veprimet në një klinikë private në Prishtinë që në vitin 2008, kur besohet të jetë kryer një transplatim i paligjshëm i një veshke, që çoi në arrestimin e tre udhëheqësve të klinikës dhe pezullimin e zyrtarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Hetimet e EULEX-it vazhduan edhe pas lirimit të tyre nga arresti dhe në tetor të vitit të kaluar u ngritën akuzat e para.

Në seancën e dytë të konfirmimit në Gjykatë, që u zhvillua të enjten, të shtatë të akuzuarit nga Kosova kundërshtuan pretendimet e prokurorit, ndërkohë që mbrojtësit e tyre kërkuan që akuzat të hidhen poshtë.

Pala mbrojtëse ndërkaq tha se po bëhen përpjekje që çështja të ndërlidhet më një raport të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, më të cilin akuzohet udhëheqja e lartë e ish-UCK-së për përfshirje në trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Raporti nxiti reagime të fuqishme në Kosovë ndërkohë që i njëjti pritet të diskutohet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës nga fundi i muajit janar.

NOA/BBC

KOMENTE