Bari, 7 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – Është grindur me gruan e tij rumune dhe kjo e fundit ka lëshuar sinjale tek forcat e rendit në traget. Këtu ka nisur “ferri” për të riun shqiptar që është keqtrajtuar psikologjikisht nga policia italiane. I janë bllokuar dokumentet, është paralajmëruar se do të shoqërohet në kuesturë me të mbërritur në Bari dhe që andej do të hetohej për dhunim të gruas qe sipas mediave italiane ishte nje shtetase rumune. E gjithë kjo trysni, e çoi në irritim dhe trishtim 29-vjeçarin shqiptar Eduard Theodhori. Ai u hodh nga trageti dhe trupi i tij ende nuk është gjetur. Për më tepër, pak gjasa ka të gjendet në ujërat e thella dhe të acarta të Adriatikut.
Gjithçka ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm. Eduardi bashkë me gruan e tij rumune, emri i të cilës nuk u bë publik nga policia, kanë nisur udhëtimin me tragetin “Arbëria” të linjës Agemar.
Ata kishin shkuar për festat e fundvitit në qytetin e Laçit ku Eduardi kishte vendbanimin dhe po ktheheshin në Itali me traget nga porti i Durrësit.
Gjatë natës që udhëtohej, ka nisur një grindje ende e paqartë për shkaqet, mes çiftit shqiptaro-rumun që jetonte prej vitesh si emigrantë në Itali.
Sikundër është shprehur rumunia, gjatë grindjes ajo i ka thënë se do të ndaheshin me të mbërritur në Itali.
Menjëherë më pas, ngritja e toneve dhe sinjalet e rumunes kanë afruar forcat policore italiane të tragetit.
Ata nisën t’i bëjnë “zbor procedural” të riut laçian dhe ai e përjetoi keq këtë situatë.
Ka veshur një jelek shpëtimi dhe është hedhur nga trageti, diku afro 40 kilometra vijë detare në Monopoli.
Në orën 06.00 të mëngjesit të sotëm, është lëshuar alarmi për mungesën e të riut.
Tre anije dhe një helikopter kryen kërkime gjatë ditës por i zhdukuri nuk u gjet. Temperatura e ujit, ishte -14 gradë Celsius. Hipoteza më e mundshme e policisë detare italiane është se i riu mund të ketë përfunduar tragjikisht në helikat e tragetit.
e.t/NOA