Tiranë, 7 janar, NOA – Dëshira Subashi, nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ka cilësuar sot vendimin e këtij institucioni për të djegur fletët e votimit si të pavlefshëm.
Në mbledhjen që po zhvillohet në këto momente në KQZ, Subashi u shpreh se ky institucion nuk ka marrë parasysh udhëzimin e miratuar në vitin 2006 për djegien e fletëve të votimit. Ajo ka vlerësuar se shkelja më flagrante është mos dërgimi i listës së zgjedhësve në Arkivin e Shtetit.
“KQZ në të gjithë praktikën e saj, që nga viti 2001 e më pas, ka marrë një procedurë të caktuar për këtë operacion pune dhe është pikërisht udhëzimi që ky institucion ka miratuar dhe që thotë se çfarë bëhet me listën e zgjedhësve kur hapen kutitë e votimit”, tha Subashi.
Ajo ju referua udhëzimit dhe tha se vendim i datës 29 dhjetor është marrë që në çdo akt mazhoranca në komision të mos ketë votat e opozitës.
“Udhëzimi parashikon që në dokumentet që i shkojnë Arkivit është dhe lista e zgjedhësve. Vendimi i marrë në 29 dhjetor e shmangu këtë udhëzim. Udhëzimi është miratuar me konsensus të plotë”, tha Subashi.
a.k/NOA