English

Zihet me gruan, hidhet nga trageti 29-vjeçari

Bari, (Itali), 7 janar, NOA – Një 29-vjeçar është hedhur sot nga trageti në të cilin udhëtonte pas një zënke me gruan. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një person me kombësi shqiptare. Ngjarja ka ndodhur në tragetin e kompanisë “Arbëria” rreth 40 milje nga brigjet e Barit.

Sipas dëshmitarëve, burri pasi është zënë me gruan, ka veshur një jelek shpëtimi dhe është hedhur në det.

Që nga ai moment, rreth orës 24:00 të mbrëmjes së djeshme, nuk ka njoftime për të riun shqiptar.

Alarmi është dhënë nga drejtuesit e tragetit që bën linjën Bari-Durrës. Në kërkim të 29 vjeçarit janë vënë katër skafe dhe një helikopter i Guardia di Finanza.

Policia italiane po kontrollon të gjithë bregun dhe vendin ku u hodh i riu shqiptar. Sipas mjekëve në kushtet e të ftohtit, trupi i njeriut mund të rezistojë vetëm dy orë në det.

Ndërkohë që janë njoftuar dhe tragetet e tjerë që kanë kaluar në zonë për të parë nëse gjenden gjurmë të shqiptarit.

a.k/NOA

KOMENTE