Algjer, 8 janar 2011, NOA – Të paktën dy manifestues të revoltës së bukës kanë mbetur të vrarë gjatë protestave që kanë paralizuar disa zona të Algjerisë prej të mërkurës. Mediat vendase raportojnë se është vrarë një burrë 32 vjeçar në zonën e Bou Smail, 50 km në perëndim të kryeqytetit Algjer, si dhe një 18 vjeçar është qëlluar për vdekje në zonën M'Sila, në lindje të Algjerit.
Sipas medias vendase “El Ëatan” raportohet se 18 vjeçari është vrarë nga një agjent policie me disa të shtëna armësh.
Por, shtypi algjerian flet edhe për një të tretë të vrarë në protestat e djeshme pasdite.
Sipas gazetave vendase një protestues edhe ky i ri ka mbetur i vrarë mbrëmë, në zonën e M'Sila.
Burimet zyrtare ende nuk i kanë konfirmuar tre viktimat, ndërkohë që i pari bilanc i bërë nga ministri i Brendshëm i Algjerisë Ould Kablia flet për 150 agjentë policie të plagosur në protesta.
Por, duket se pas një nate të tërë përleshjesh mes protestuesve dhe policisë është rikthyer qetësia këtë mëngjes, porse flitet që manifestuesit janë gati t’i rikthehen shesheve të protestave në mbrëmje.
Pas protestave të dhunshme kryeqyteti Algjer dhe shitoret e tij në periferi ishin gati gati të zbrazëta.
Forcat e policisë kanë blinduar me forca të shumta zona të ndryshme të si lagjen Belcourt, ndërkohë që ushtria ka zbarkuar në fushën e Bab Ek Oued.
Dhjetëra të rinj janë përleshur me gurë, shishe me agjentët e policisë të cilët për të ndalur protestuesit kanë hedhur gazlotsjellës.
Gjithashtu bilanci i protestave të dhunshme të tri ditëve të fundit është një numër i madh zyrash poste, qendrash publike, fabrikash e dyqanesh të boshatisura.
Madje sot është parashikuar mbledhja e këshillit ndërministror për gjetjen e një zgjidhjeje për të ndalur rritjen e çmimeve të prodhimeve ushqimore, rritje e cila solli edhe revoltën popullore, e cilësuar si revolta e bukës.
Më herët ministri i Brendshëm Ould Kablia e ftoi popullin të qetësohet duke i rikujtuar reformat që ka bërë qeveria që prej vitit 2000 për rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetesës për qytetarët.
Ai sakaq i dënoi protestat e dhunshme duke siguruar se përgjegjësit do të ndëshkohen.
mit/NOA