Tiranë, 8 janar 2011, NOA – Lufta kundër korrupsionit është kusht i të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të Task-Forcës për reformën në shëndetësi, ku vlerësoi punën e bërë në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve të praktikës klinike, çka do të mundësojë finalizimin e kostifikimit në shërbimet shëndetësore. Shefi i ekzekutivit theksoi se reforma në shëndetësi është reforma më e vështirë dhe më e rëndësishmja ndër të gjitha reformat, pasi ajo përmirëson shërbimin shëndetësor për qytetarin, ndërkohë që përgëzoi për punën e madhe dhe rezultatet e arritura, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
“Luftën kundër korrupsionit e konsideroj kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Kjo jo vetëm në shëndetësi, por në çdo fushë. Në qoftë se ne duam të kemi sukses, duhet të luftojmë korrupsionin”, theksoi kryeministri.
Ai rikujtoi se Shqipëria është 27 përqind më lart se vendet e tjera të OECD-së për regjistrimin e biznesit dhe kjo sipas zotit Berisha është arritur sepse është luftuar korrupsioni me procedura.
“Gjithçka dixhitalizohet dhe shkon jashtë sistemit të korrupsionit. Ne duhet të kemi të qartë se për të kapur standardet, nuk ka rrugë më të sigurt sesa lufta kundër korrupsionit. Disa studime nga më seriozet dëshmojnë një rënie te ndjeshme të tij gjatë vitit që shkoi. Por sërish unë kërkoj nga ju që ta vendosim mbi çdo gjë këtë kriter, si kriterin themelor”, apeloi shefi i qeverisë.
Më tej ai i përgëzoi të gjithë drejtuesit e shërbimeve, departamenteve, mjekët, infermierët e aktorë të tjerë të përfshirë në proces, për punën e shkëlqyer që kanë bërë gjatë vitit që u mbyll në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve të praktikës klinike, çka përbën një arritje të madhe, që do të mundësojë finalizimin sa më shpejt të kostifikimit në shërbimet shëndetësore, si një nga kushtet themelore kjo për të përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e shërbimit dhe për të përdorur në mënyrën më efiçente burimet e disponueshme financiare.
“Ne duhet të jemi të vendosur të fillojmë aplikimin edhe në rast se jo çdo gjë e kemi të përgatitur ne duhet të bëjmë provën me kostifikimin. Duhet të bëjmë që çdo faturë e kostifikuar t’i shkojë institutit. Faturat, kostot e çdo analize e çdo medikamenti dhe çdo procedurë, t’i dërgohet institutit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo nuk është një praktikë e thjeshtë, që duhet ta instalojmë sepse është themelore”, nënvizoi kryeministri Berisha.
Ai vlerësoi se “përkushtimi i dëshmuar në realizmin e hartimit të udhërrëfyesit dhe protokolleve, tani kërkon të gjithë përkushtimin e ekipeve mjekësore për zbatimin e tyre”.
Kryeministri ndaloi dhe në një tjetër moment tjetër të rëndësishëm, në projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor që u miratua këtë javë në mbledhjen e qeverisë, i cili garanton vendosjen e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe mundëson ndër të tjera hapjen gjerësisht drejt sektorit privat.
Shefi i ekzekutivit në këtë kontekst argumentoi se ky ligj është zgjidhja më e mirë, pasi nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, zgjidhje që sikundër tha ai, e detyron qeverinë që të ndihmojë kategori të caktuara, të cilat do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor.
“Mori fund një debat i gjerë 4-vjeçar. Ka patur shumë ide nga më kontradiktoret për vendosjen e këtij sistemi, por është bërë zgjidhja më e mirë, më realiste, zgjidhje e cila nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, zgjidhje e cila e detyron qeverinë të paguajë për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë. Janë kategori të cilat do të ndihmohen dhe do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor”, premtoi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Task-Forcës për reformën në shëndetësi.
mit/NOA