English

EULEX-i vazhdon avazin e Dik Martit, 2 akuza për krime lufte

Prishtinë, 8 Janar 2011 - Prokurorët e EULEX-it kanë ngritur aktakuza për krime lufte ndaj dy ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sabit Geci dhe Riza Aliaj akuzohen për “krime lufte kundër popullatës civile”, të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri.

Në aktakuzën, e cila është formuluar për EULEX-in nga prokurori amerikan, Robert Din, thuhet se “kampet në Kukës dhe Cahan, të krijuara nga UÇK-ja, kanë shërbyer për logjistikë e trajnime, kurse dy të akuzuarit i kanë përdorur ato për të mbajtur civilë dhe personat që nuk merrnin pjesë në luftë”, raporton Agjencia Frans Pres

Sipas AFP-së, ende nuk është e qartë se kur do të nisë gjykimi i dy ish-komandantëve. Aktakuza vjen në kohën kur Kosova po përballet me raportin akuzues të Dik Martit.

Ky i fundit në raportin për Këshillin e Evropës përmend Gecin si të dyshuar për vrasjen e një civili në Kukës, që fillimisht është rrahur dhe më pas është qëlluar për vdekje.

Sipas aktakuzës së prokurorit Din, dy të akuzuarit burgosnin kosovarët, të cilët iknin nga konflikti dhe ishin të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e atëhershëm serb, ose kishin “pikëpamje politike që ndryshonin me ato të UÇK-së”.

Geci dhe Aliaj thuhet se “kanë qenë direkt të përfshirë në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto kampe nga fundi i marsit ose fillimi i prillit deri në qershor të 1999-ës”.

Civilët “janë rrahur rregullisht, janë goditur me shkopinj gome, janë keqtrajtuar dhe abuzuar verbalisht”, citon AFP aktakuzën.

“Ata janë mbajtur në vende të pista dhe kushte të këqija për shëndetin. Atyre u ishte ndaluar ushqimi, uji dhe trajtimi mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

Në të përshkruhet dhe një incident në Kukës, kur “dy të burgosur ishin urdhëruar të vishnin xhaketa anti-plumb dhe pastaj ishin qëlluar nga një grup pushkatimi”, si një mënyrë për t’u torturuar.

Prokurorët e EULEX-it pohojnë se kanë siguruar dëshmitë e rreth 20 të burgosurve, të cilët kanë thënë se “kanë pësuar trauma fizike dhe psikologjike, si rezultat i kushteve, në të cilat janë mbajtur dhe torturës”, citon AFP.

KOMENTE