English

Gjykata: Arrest në shtëpi për djalin e Arta Dades

Tiranë, 8 janar 2011, NOA – Disa ditë pas plagosjes me pistoletë të nipit të ish-kryeministrit Adil Çarçani, Endrin Lufi nga Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste, Arta Dade, Gjykata e Tiranës në seancën e sotme vendosi që ndaj Besnik Dabulla të merret masa e arrestit në shtëpi. Burime nga gjykata thanë për agjencinë NOA se kjo kërkesë u argumentua nga avokati mbrojtës i Dabullës me faktin se vetë nipi i Çarçanit e kishte falur Besnik Dabullën për plagosjen dhe përmes një deklarate të lexuar nga avokati në seancën e sotme, Endrin Lufi deklaronte se ai me Dabullën ishin shokë të mirë dhe se plagosja me pistoletë kishte ndodhur pa dashje.

Kjo kërkesë e avokatit për një masë të butë sigurie e mbështetur nga trupi gjykues erdhi për shkak se prokuroria kërkoi për Dabullën një masë më të ashpër sigurie me 20 ditë burgim deri në përfundim të hetimit.

Ngjarja ku u plagos me pistoletë Endrin Lufi, i cili ishte shok i djalit të deputetes Arta Dade ndodhi të mërkurën në mbrëmje në lokalin “Liburnia” në zonën e ish-bllokut, ku Besnik Dabulla është bashkëpronar.

Besnik Dabulla u arrestuar nga policia po atë natë, pasi kishte dërguar në spital Endrin Lufin, djalin e vajzës së Adil Çarçanit.

Menjëherë pas plagosjes së nipit të Çarçanit policia nxorri në pah se bashkë me Dabullën dhe të plagosurin ishte edhe djali i Sokol Hoxhës apo nipi i diktatorit Enver Hoxha, Shkëlzen Hoxha.

Por, ky I fundit të enjten hodhi poshtë publikisht këto fjalë duke theksuar se ai kishte qenë vetëm në drekë në praninë e Dabullës dhe Lufit, porse më pas ishte larguar nga lokali për një drekë familjare, gjë që argumentonte dorazi se në momentin e plagosjes së nipit të Çarçanit nga Dabulla, Shkëlzen Hoxha nuk ndodhej i pranishëm.

Organi i akuzës kërkoi masë sigurie me 20 ditë burg për djalin e Arta Dades për faktin se hetimi i gëzhojës së gjetur në vendngjarje pas plagosjes së Endrin Lufit do të mund të evidentonte jo vetëm pozicionin e Dabullës, por edhe dyshimet se arma pistoletë e tij mund të ishte përdorur në ndonjë ngjarje të mëparshme.

Megjithatë Trupi Gjykues nuk e pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes duke e lënë në arrest shtëpi djalin e Arta Dades, Besnik Dabullën.

Besnik Dabulla po hetohet per plagosje dhe armembajtje pa leje.

mit/NOA

KOMENTE