English

Kantrimen: Politika Shqiptare të negociojë, për djegien e fletëve u respektuan rregullat

SHBA, 8 janar 2011, NOA-Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën në një intervistë për “Zërin e Amerikës” thotë se politikanët në Shqipëri duhet të jenë në gjendje të negociojnë me njeri tjerin dhe t’i zgjidhin problemet vetë në mënyrë demokratike përmes dialogut dhe kompromisit.

Çdo vonesë në këtë drejtim, shton zyrtari i lartë amerikan, dëmton imazhin e vendit ose afatin për të hyrë në BE.

Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këto ditë të djegë fletët e votimit të zgjedhjeve të vitit 2009, gjë që u prit përsëri me mosmarrëveshje në sagën e pafundme të këtyre zgjedhjeve. Cili është mendimi juaj për këtë?

Mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punën në bazë të rregullave të tij. Ka ndjekur procesin e nevojshëm për të arritur në këtë vendim. Është e rëndësishme për të gjitha partitë dhe anëtarët e komisionit të marrin pjesë në këtë proces.

A mendoni se për një vend anëtar të NATO-s si Shqipëria, çështja e kontestimit të zgjedhjeve duhet të ishte një çështje e së kaluarës, e zgjidhur që para se vendi të anëtarësohej në NATO? Sa e kanë dëmtuar Shqipërinë mosmarrëveshjet e fundit mbi zgjedhjet e 2009?

Shqipëria është një vend i NATO-s që i ka marrë seriozisht angazhimet e saj në këtë aleancë duke kontribuar në misionin e aleancës në Afganistan. Kjo është e rëndësishme dhe është vlerësuar nga vendet e aleancës. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s pasi plotësoi standartet e aleancës për një demokraci parlamentare evropiane. Që nga ajo kohë, ngërçi me zgjedhjet dhe mospjesëmarrja brenda sistemit politik shqiptar, ka dëmtuar jo vetëm emrin e Shqipërisë, por edhe mundësinë e saj për të ecur përpara drejt integrimit evropian, për t’u bërë anëtare e BE-së. Si anëtare e NATO-s dhe si një vend që thotë se është i gatshëm të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, shqiptarët duhet të jenë në gjendje të negociojnë me njeri tjerin dhe t’i zgjidhin problemet vetë në mënyrë demokratike përmes dialogut dhe kompromisit. Çdo vonesë në këtë drejtim dëmton imazhin e vendit ose afatin për të hyrë në BE.

Ato që ju sapo thatë nuk kanë ndodhur. Klasa politike shqiptare nuk ka qënë në gjendje t’i zgjidhë problemet me dialog. Para pak kohe ju jeni shprehur se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë për të kapërcyer ngërçin, në mënyrë që zgjedhjet të mos kontenstohen më. Për çfarë ndihme e keni fjalën konkretisht?

Po, në radhë të parë, OSBE-ja, në raportin e saj për zgjedhjet e 2009-ës, e bëri të qartë se çduhet të bëjnë partitë për të përmirësuar procesin zgjedhor. Ka më duket 31 rekomandime konkrete. Më e rëndësishmja është e para, që partia në pushtet të tregojë vullnetin e nevojshëm politik për të zhvilluar zgjedhje të besueshme. Është kjo kërkesë e parë, si edhe të tjerat, që ende nuk janë zgjidhur nga partitë drejtuese në Shqipëri. Së dyti, përsa i takon zgjedhjeve, dua të përmend rastin e zgjedhjeve të muajit të kaluar në Kosovë. Unë isha vetë atje. Këto ishin zgjedhjet e para që pas pavarësisë. Nuk ishin më të mirat, prandaj një pjesë po përsëriten të djelën. Por ajo që më bërë përshtypje të madhe ishte fakti që mbi 30 mijë qytetarë të Kosovës kishin dalë vullnetarë për të shërbyer si vëzhgues të pavarur për të garantuar pastërtinë e zgjedhjeve. Do të doja që edhe në Shqipëri të fillonte tani një proces ku 30, 60 apo 90 mijë qytetarë të shërbejnë si vëzhgues zgjedhjesh për ditën e votimeve. Është një detyrë që nuk i takon vetëm komunitetit ndërkombëtar por u takon vetë qytetarëve të dalin e të vëzhgojnë vetë zgjedhjet e tyre që ato të jenë të drejta dhe të pastra. Pikërisht këtu mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara.

Si?

Duke ndihmuar organizatat jo-qeveritare të organizojnë këto grupe vullnetarësh. Zgjedhjet në Shqipëri nuk i përkasin dy a tri partive. Ato i përkasin popullit shqiptar. Dhe i takon banorëve të dalin vullnetarë dhe ditën e votimeve të vëzhgojnë për të shmangur çdo kontradiktë apo mashtrim gjatë zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë përpjekje. Do të ndihmojmë në se të dy partitë tregojnë vendosmëri për të biseduar me njera tjetrën dhe të arrijnë kompromis për rregullat zgjedhore. Përsëritja e asaj që ndodhi në zgjedhjet e kaluara, mungesa e besueshmërisë, dhe një ngërç i ri në jetën politike të Shqipërisë do ta kthente vendin pas nga arritjet mbreslënëse të 20 vjetëve të fundit.

Dhe një pyetje e fundit për Shqipërinë. Aspirata për anëtarësim në NATO dhe në BE për vendet e Ballkanit, i ka shërbyer perëndimit si një mjet i efektshëm për t’i nxitur ato drejt reformave. Tani që Shqipëria është në NATO dhe pas heqjes së vizave, që për shumë njerëz mund të shihet si anëtarëim në BE, çfarë mjetesh i kanë mbetur perëndimit për t’i nxitur vendet drejt reformave?

Ajo që ka arritur Shqipëria me anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe procesi për ta realizuar këtë janë jetike për të nxitur procesin e reformave në Evropën Juglindore. Ju keni të drejtë se liberalizimi i vizave është ana më e prekshme e këtij përparimi, anët e tjera të përparimit mund të mos jenë kaq të dukshme. Por mundësia për zhvillim ekonomik dhe social i Shqipërisë dhe fqinjëve të saj është shumë e madhe. Në se Shqipëria synon të ketë një ekonomi të shekullit të 21, në se dëshiron të ketë një qeveri të pastër, në se dëshiron të ketë respekt për shtetin ligjor, ajo duhet të vazhdojë të punojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria ka nevojë, siç e kemi thënë shumë herë edhe për vende të tjera të rajonit, të fillojë me çështjen e shtetit ligjor, me transparencën dhe një qeveri të pastër.

(VOA)/NOA

KOMENTE