Prishtinë, 8 janar 2011, NOA-Prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, kanë ngritur akuza për krime lufte ndaj dy pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas akuzës së hartuar nga prokurori amerikan Robert Dean, dy të akuzuarit, “kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto kampe nga fundi i marsit ose fillimi i prillit deri në qershor të vitit 1999”.
Sabit Geci dhe Riza Aliaj akuzohen për “krime lufte kundër popullatës civile”, të kryera në dy kampe të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shqipëri.
“Kampet në Kukës dhe Cahan, të ngritura nga kryengritësit shqiptarë kanë shërbyer për logjistikë e trajnime, ndërsa dy të akuzuarit, burgosnin banorët e Kosovës, të cilët iknin nga konflikti,ishin të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e atëhershëm serb, ose kishin pikëpamje politike që ndryshonin me ato të Ushtrisë Çlirimtare”, thuhet në aktakuzë.
Më tej vijohet, duke thënë se civilët janë keqtrajtuar fizikisht, janë mbajtur në vende të pista dhe kushte të rënda për shëndetin, madje ata ishin privuar nga ushqimi, uji dhe trajtimi mjekësor.
Prokurorët e EULEX-it, i kanë thënë agjencisë së lajmeve AFP, se kanë siguruar dëshmitë e rreth 20 të burgosurve.
Raporti i cili nxiti reagime me zemërim në Kosovë, përmend Sabit Gecin si të dyshuar për vrasjen e një civili në Kukës, që fillimisht është rrahur dhe më pas është qëlluar për vdekje.
Kjo akuzë vjen në një kohë kur Kosova është goditur ashpër nga raporti i Dick Martit për trafik organesh.
a.y/NOA