Zyrih, 8 Janar 2011 - Gazeta zvicerane që del në Gjenevë, Le Temps transmeton detaje nga jeta e kryeministrit në largim të Kosovës, Hashim Thaçi, nga koha kur ai jetonte si azilant në Zvicër dhe lobonte në mesin e diasporës për mbledhjen e mjeteve financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gazeta e cituar sot nga Makfaks në Shkup, shkruan se Thaçi ka jetuar në Zvicër nga viti 1994 e deri më 1998, se ka pasur statusin e azilantit politik dhe se ka studiuar shkencat politike dhe historinë në Universitetin e Zürichut.
Gazeta pretendon se ai është takuar rregullisht me përkrahësit e UÇK-së në qytetin Arau, nëpër banesa, kafiteri, madje edhe në redaksinë e një gazete të përditshme.
Eksperti për strategji ushtarake, Albert Stahel i ka thënë gazetës Le Temps se Thaçi ka shkuar në ligjëratat e tij, ku, si pohon ky profesor, ligjëronte për mënyrën e luftës së muxhahedinëve në Afganistan.
Gazeta shkruan po ashtu se Thaçi pesë deri gjashtë herë në vit shkonte fshehtas në Kosovë, në mënyrë që të forconte pozicionin e tij në UÇK, ndonëse si azilant këtë nuk ka guxuar ta bënte dhe ka rrezikuar t’i merrej ai status në Zvicër