English

Mitrovicë, shqiptarët në protestë kundër raportit të Dick Martyt

Mitrovicë, 8 janar 2011, NOA – Shqiptarët në veri të Kosovës në Mitrovicë kanë dalë në protestë sonte kundër raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, i cili në raportin e tij akuzon krerët e UÇK-së për trafik organesh, droge dhe armësh në përfundim të konfliktit me Serbinë në vitin 1999. Kjo protestë në Mitrovicën ku banojnë shqiptarë e serbë të ndarë në mes nga lumi Ibër është mjaft domethënëse, pasi qyteti në veri të Kosovës, që synohet nga Serbia është bërë shpesh arenë përleshjesh mes shqiptarëve dhe serbëve.

Protestuesve mësohet se u janë bashkuar edhe veteranë të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kundërshtojnë me forcë akuzat e rënda që sipas shqiptarëve të Kosovës rreken të përbaltin luftën çlirimtare të Kosovës të kryesuar nga UÇK.

Mediat vendase bëjnë të ditur se protesta po ndiqet nga forca të shumta policore të EULEX-it dhe KFOR-it.

Protesta e shqiptarëve në këtë qytet verior të Kosovës në kufi me Serbinë, ka vijuar e qetë dhe pa incidente.

Protesta e shqiptarëve në Mitrovicë vjen në një moment kur edhe prokurorët e EULEX-it kanë ngritur akuza për krime lufte ndaj dy prej ish-krerëve të UÇK-së Sabit Geci dhe Riza Alia.

Ka qenë agjencia franceze e lajmeve AFP, që raportoi se ka parë aktakuzën në versionin shqip, ku dy ish-komandantët e UÇK-së akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile serbe të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri, në kampet e Kukësit dhe Cahanit.

Sipas AFP-së prokurori amerikan i EULEX-it, Robert Dean, shkruante se kampet në Kukës dhe Cahan të krijuara nga UÇK-ja shërbenin për logjistikë e trajnime, ndërkohë që dy ish-komandantët i përdornin ata për të mbajtur civilë, që nuk merrnin pjesë në luftë, porse ishin të kapur për qëllime të tjera.

Ndërsa në raportin e Dick Martyt udhëheqësit e UÇK-së, bashkë me ta edhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi akuzohen mbi të gjitha për trafik organesh të robërve serbë që mbaheshin të fshehur në Shqipëri, një trafik që mori jetë në fund të konfliktit në Kosovë në vitin 1999.

mit/NOA

KOMENTE