Tiranë, 8 janar, NOA - Sekuestrohet në Tiranë një sasia prej 180 kg lënde narkotike e llojit kanabis sativa, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufiri ndarës”.
Ngjarja konfirmohet prej forcave të Policisë
së Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, përgjatë orëve të vona
të mbrëmshme, u arrestua një person, ndërkohë që ky operacion vazhdon mbi
kapjen e tjerë shtetasve të implikuar në këtë rrjet e cila ishte e destinuar
për trafik dhe shpërndarje në vendet fqinje.
Më konkretisht, u arrestua në flagrancë 39-vjeçari Astrit Kuçi, lindur në Tiranë dhe banues në Marikaj të Tiranës, i dënuar më parë në Gjermani për veprën penale të “Prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”.
Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj tij, u gjend dhe u sekuestrua 0.7 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë, ndërsa pas kontrollit të ushtruar në banesë iu gjend dhe iu sekuestrua sasia prej 180 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e cila ishte e ndarë në pako të presuara 1 kg.
Kjo sasi e konsiderueshme lënde narkotike dyshohet se kishte destinacion më pas trafikimin dhe shpërndarjen në vendet fqinje me Shqipërinë, i cila në momentin e sekuestrimit u gjend e ndarë në 13 kuti.
Ndaj të lartpërmendurit u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 283/2 të Kodit Penal.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA