English

Operacioni “Pritje e gjatë” sekuestron 150 kg marijuanë

Gjirokastër, 8 janar, NOA – Përmes operacionit antidrogë të koduar “Pritje e gjatë”, forcat e policisë së Gjirokaastrës kanë sekuestruar 150 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë, bashkë me automjetin që e transportonte këtë sasi, si edhe kanë arrestuar dy persona si organizatorët kryesorë të një grupi të mirëorganizuar të trafikut të lëndëve narkotike.

Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dije se të ndaluarit janë Stavri Hakarepi, 38 vjeç, lindur në Delvinë dhe banues në Ksamil; si edhe Gazmir Avduli, 36 vjeç, lindur dhe banues në Konispol të Sarandës, i dënuar më parë me 5 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike.

Ndalimi i tyre është bërë sepse në bazë të një hetimi rreth 5-mujor policia ka arritur të bëjë dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të një grupi të mirëorganizuar në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, grup i cili zhvillonte veprimtarinë e tij kriminale në rrethet Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë.

Mbi bazën e informacioneve që dispononte Sektori Kundër Narkotikëve & Trafiqeve të Paligjshme dhe provave ligjore të grumbulluara gjatë këtij hetimi rezultoi se Stavri Hakarepi dhe Gazmir Avduli, ishin organizatorët kryesorë të këtij grupi kriminal.

Këta persona në bashkëpunim edhe me persona të tjerë pjesëtarë të grupit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, por që u është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e tyre kriminale, do të trafikonin një sasi të madhe lënde narkotike në drejtim të shtetit grek.

Ngarkesa është siguruar në fshatin Lazarat dhe është transportuar e magazinuar në rrethin Delvinës, me destinacion përfundimtar shtetin Grek.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, policia ka zhvilluar një operacion për të bllokuar lëndën narkotike dhe arrestuar personat e implikuar në këtë trafik.

Në hyrje të qytetit Delvinë, forcat e policisë kanë konstatuar automjetin që transportonte lëndën narkotike dhe i janë vënë në ndjekje.

Drejtuesi i automjetit porsa ka konstatuar se po e ndiqte policia është kthyer me shpejtësi në drejtim të fushave të Karahaxhit në rrethin e Delvinës dhe menjëherë ka braktisur automjetin dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar edhe nga errësira.

Si rezultat i operacionit është bërë e mundur bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit tip Mercedes Benz me traga Italiane AZ 587 VV, në të cilin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale në bagazh dhe në brendësi të tij 5 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë.

Pas këqyrjes që iu bë çantave rezultoi se pesha e përgjithshme ishte 150 kilogramë marijuanë.

Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik.

n.e/NOA

KOMENTE