English

Përleshja e bandave në Bulqizë, burg pa afat për 4 anëtarë të bandave të kromit

Bulqizë, 8 janar 2011, NOA – Burg pa afat është masa e sigurisë e dhënë sot nga Gjykata e Bulqizës për Ilia Duriqin dhe Ndriçim Durin, dy anëtarë të bandave të kromit që u përleshën para dy ditësh në mes të Bulqizës duke lënë të vdekur në vend kalimtarin e rastit, 46-vjeçarin Fehmi Kurçami dhe duke plagosur dy kalimtarë të tjerë. Ndërkohë korrespondenti i agjencisë NOA raporton se trupi gjykues i ngritur gjatë seancës së sotme për këtë ngjarje dha masën e sigurisë me arrest shtëpie për Vladimir Cërroin, Ardian Duriqin, të arrestuar nga forcat e RENEA-s gjatë tentativës për t’i shpëtuar kapjes nga policia. Por, Gjykata e Peshkopisë vendosi burg pa afat edhe për dy të arrestuarit e tjerë anëtarë të bandave të Bulqizës Shpëtim Reka e Leonard Ndreu, të cilët janë të shtruar në spitalin e Peshkopisë në gjendje të rëndë për jetën pas aksionit të policisë për kapjen e tyre.

Beteja me armë në mes të Bulqizës sipas policisë erdhi nga përleshja mes dy bandave rivale të familjes Durriqi dhe Jangulli për kontrollin e vendburimeve të kromit në Bulqizë.

Gjatë përleshjes në fjalë që ndodhi pak metra larg bashkisë së Bulqizës dhe në mes të ditës mbeti i vdekur nga disa plumba minatori Fehmi Kurçami i cili ndodhej pranë një noterie si dhe u plagosën dy persona të tjerë.

Ngjarja e ndodhur në mes të qytetit ku në mes të plumbave u gjendën persona të pafajshëm risjell në vëmendje ankthin e plumbave qorr që vinin nga s’e pandehje në vitin e mbrapshtë 1997, zanafilla edhe e pajisjes me armë dhe municione pas shpërthimit të depove të armëve në mbarë vendin.

mit/NOA

KOMENTE