Unë vij sot këtu tek ju, me një kënaqësi të veçantë, sepse këtë vit dhe në 18 muaj, një ëndërr e juaja fisnike, e baballarëve tuaj, e gjyshërve tuaj do të behet realitet. Autostrada Tiranë-Elbasan, do të jetë vepër madhore e juaja, e qeverisë sime dhe dua tu garantoj ju, se kjo është dhe do të mbetet një nga kënaqësitë e mëdha të jetës sime, një premtim i mbajtur për ëndrrën tuaj fisnike.
Nga
Sali Berisha*
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit!
Gëzuar vitin e ri, gëzuar 20 vjetorin, ditëlindjen e lirive dhe të drejtave tuaja njerëzore, ditëlindjen e dinjitetit tuaj njerëzor, themelimin e pluralizmit politik në Elbasan, themelimin e Partisë Demokratike. Gëzuar të gjithëve.
Sot pas 20 vitesh, burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, që 20 vjet më parë themeluan pluralizmin politik, themeluan Partinë Demokratike, duhet të ndihen më krenarë se kurrë, me veten e tyre, më mirënjohës se kurrë ndaj njëri- tjetrit, më vlerësues se kurrë, ndaj guximit, trimërisë, vendosmërisë, përkushtimit, mençurisë, që dëshmuat 20 vjet më parë.
Sot, është koha të jemi krenarë me vendimin që morëm 20 vite më parë, sepse ne vendosëm të themelojmë një parti politike, partin e idealeve tona më fisnike, parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Sot jemi të lirë, më të lirë se kurrë. Ne themeluam Partinë Demokratike në kohën e monizmit më totalitar. Sot Shqipëria është një pluralitet i mrekullueshme politik, pronësor, fetar dhe i gjithanshëm.
Ne sot, duhet të ndihemi krenarë, sepse këto 20 vite, rikthyen në Elbasan, rikthyen në Shqipëri vlerat hyjnore dhe njerëzore të njeriut, të individit, të shoqërisë.
Ne rikthyem së bashku besimin tek Zoti, tek Krishti, tek Profeti, tek e ardhmja.
Sot ne rrezatojmë dhe duhet të ndihemi krenar, se me tolerancën tonë fetare, me mirëkuptimin tonë fetar, rrezatojmë mirësi në mbarë Europën dhe Botën, toleranca fetare e shqiptarëve është mesazhi më i shkëlqyer i shpirtit të tyre të madh, për Europën dhe mbarë Botën.
Sot ne duhet të ndihemi krenar, se 20 vjet më patë jo vetëm në Shqipëri, ne ishim qeniet më të shtypura në Europë, por gjysma e kombit përjetonte pushtimet e egra dhe barbare, ne u ngritëm në këmbë me çështjen kombëtare si yllin tonë polarë dhe sot shqiptarët kudo, janë të lirë. Kosova është e pavarur dhe e ardhja e tyre është e sigurt.
Për 20 vite, ne u bëmë avoketërit më të fuqishëm të lirive, të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot, ne do të ndihemi më krenarë se kurrë, sepse u themeluam si parti e vokacionit perëndimor, të kombit shqiptarë. Ky komb në 2 mijë vite, njohu pushtimet barbare nga lindja dhe nga të gjitha anët, por në shpirtin e tij mbeti një komb perëndimorë.
Ndaj dhe ne mbushëm rrugët e Elbasanit, rrugët
e Tiranës, rrugët e mbarë Shqipërisë me moton, Elbasani si Europa, Shqipëria si
Europa.
Sot Krishtlindjen që shkuan, Viti i ri që sapo kaloi, shqiptarët i festuan si
evropian të vërtetë, për sa i përket lirisë së lëvizjes. Ata dolën, shëtitën,
vizituan njerëzit e tyre kudo në Europë pa viza, më të lirë më të denjë se
kurrë më parë.
Sot ne duhet të jemi më krenare se kurrë, sepse ky vend në kulmin e krizës ekonomike më të madhe të botës, qëndroi në krye të rritjes ekonomike të Europës, falë jush qytetarë të Elbasanit dhe të Shqipërisë, lumit të djersës, përkushtimit tuaj, shpirtit tuaj të pa mposhtur punëtor, reformave të shkëlqyera të qeverisë sonë, programit të Partisë Demokratike.
Sot, ne do të ndihemi më krenarë se kurrë dhe më të sigurt për të ardhmen tonë, sepse ne jemi i vetmi vend që në një hark kohor të shkurtër, prej 5 vjetësh, ia dolëm të dyfishojmë rrogat, të dyfishojmë pensionet, ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në një kantier të madh në të katër anët e tij.
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit
Unë vij sot këtu tek ju, me një kënaqësi të veçantë, sepse këtë vit dhe në 18 muaj, një ëndërr e juaja fisnike, e baballarëve tuaj, e gjyshërve tuaj do të behet realitet. Autostrada Tiranë-Elbasan, do të jetë vepër madhore e juaja, e qeverisë sime dhe dua tu garantoj ju, se kjo është dhe do të mbetet një nga kënaqësitë e mëdha të jetës sime, një premtim i mbajtur për ëndrrën tuaj fisnike.
Por sot ne duhet të ndihemi më krenarë se kurrë, sepse këtë vit Shqipëria, u shpall nga agjencitë më prestigjioze turistike të botës, nga mediat më serioze të botës, si e Bukura e Dheut, si Miss Bota, për potencialin e saj turistik. Për ju dhe për mua, si Shqipëria vend nuk ka mbi dhe, por kjo tani bëhet reale, për qytetarët e Europës dhe mbarë Botës, kjo është një vepër tjetër e juaja, është një vepër tjetër e reformave të qeverisë, kurrë ndonjëherë më lart emri i këtij vendi nuk ka qëndruar sesa këtë vit.
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit!
Shpallja e Shqipërisë destinacioni kryesor i botës për turizmin, është dekorata e të gjithë shekujve që ky vend ka marrë dhe ka merituar. Shqipëria u shpall e Bukura e Dheut, sepse shpirti i shqiptarëve me virtytet, me mikpritjen e tyre, është me i bukur se i kujtdo tjetër.
Shqipëria u shpall e Bukura e Dheut, sepse detet dhe liqenet, kodrat dhe malet e saj, janë më të bukurat në Europë dhe më të bukurat në botë. Shqipëria u shpall e bukura e dheut, sepse ne në një kohë të shkurtër 4-5 vjeçare e bëmë këtë vend në një prej infrastrukturave me të reja, më moderne, në rajon dhe në Europë.
Ne duhet të ndihemi krenarë, me njëri-tjetrin, sepse ne kemi provuar përkushtimin tonë të plotë, ndaj lirisë, demokracisë, vlerave të saj. Ne votuam të lirë në 2007, ne votuam të lirë në 2009 dhe ne do të votojmë të lirë në 2011, në 2013, në 2016 dhe përherë. Ne jemi burrat dhe gratë që shembën diktaturën, ne jemi burrat dhe gratë që sollëm lirinë, ne jemi burrat dhe gratë që nuk do të prekim kurrë votën, por që do ta mbrojmë atë që shqiptarët të votojnë të lirë.
Arritjet e këtyre 20 viteve i përshkroi më bukur, me ndershëm se kushdo tjetër një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky mik do të deklaronte, se rrugën e keni pasur të gjatë, më të gjatën se të gjithë të tjerët, por askush, asnjëherë nuk e ka përshkruar atë në një kohë më të shkurtër sesa ju. Po kjo është e vërteta, ndaj dhe le të ecim ne me besim të madh tek, vetja, tek njëri tjetri njëlloj si në vitet 1990, le të ecim ne me besim të madh tek Shqipëria, e cila sot është anëtare e NATO-s, e cila sot ecën e sigurt drejt Bashkimit Evropian, e cila sot është shpallur destinacioni kryesor turistik në Botë, e cila sot për qytetarët e saj bëri që të lëvizin të lirë në mbarë Europën.
Le të ecim ne me besim të madh, se këtë vend
zoti e ka bërë të bekuar dhe më të bekuar do ta bëjnë qytetarët e saj.
Le të ecim ne të vendosur, me mundin, djersën, përkushtimin, mençurinë tonë, të
shndërrojmë në vlera, pasuritë përrallore, natyrore, njerëzore të këtij vendi.
Le të ecim ne të sigurt drejt 8 majt, e cila është dita tjetër e fitores sonë.
Një grup i vogël neo-bllokmenësh, kërkon t’ju zërë ju rrugën. Një grup i vogël neo-bllokmenësh kërkon t’ju kthejë juve të shkuarën, një grup i vogël neo-bllokmenësh, përpiqen të shkelmojnë votën tuaj, përpiqen të bllokojnë buxhetin tuaj, përpiqen të bllokojnë të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve. Le tu themi ne këtu, këtyre zotërinjve, këtyre shokëve se 8 maj, do të jete 22 marsi i etërve tuaj, do të jetë fundi juaj.
Ndaj dhe të bashkohemi ne rreth vlerave, të bashkohemi ne rreth botës së lirë, respektit të hekurt ndaj lirive të njeri-tjetrit, ndaj besimeve të njëri-tjetrit, të bashkohemi ne të sigurt në të ardhmen tonë Evropiane. Të ndërtojmë ne së bashku çdo ditë, Shqipërinë Evropiane, Shqipërinë e bukur, Shqipërinë e pro fesë, Shqipërinë që duan të gjithë.
Unë u ndala këtu tek autostrada Tiranë–Elbasan,
pro unë i garantoj të gjithë qytetarët e gjithë këtij qarku nga fshatrat e
thella të Gramshit, deri në Stërblevë e kudo, se dora dhe projektet e qeverisë
do të jenë në të gjithë këtë qark, për të lehtësuar për të ndihmuar, për të
përmirësuar jetën e tyre.
Shqipëria është e bukur kudo, Shqipërinë do ta ndërtojmë aty ky jetojnë
shqiptarët, çdo fshat të këtij qarku do ta bëjmë me infrastrukturën e çdo
lagjeje të Elbasanit.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar, këtë ditë të madhe të jetës suaj, këtë ditë që na bëri ne të lirë, këtë ditë që bëri që fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat tona, fëmijët e fëmijëve tanë të lindin të lirë njëherë e përgjithmonë në këtë tokë të bekuar, në këtë vend të bekuar”.
* Fjala
e mbajtur dje nga kryeministri në Elbasan me rastin e 20-vjetorit të krijimit të
degës së Partisë Demokratike në këtë rreth