English

Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit nuk është e vdekur

Shkup, 9 janar, NOA - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se Marrëveshja e Ohrit nuk është e vdekur, por sipas tij është një dokument që ka shumë të arritura për shqiptarët.

“Marrëveshja e Ohrit as nuk është e vdekur e as nuk është e përbaltur, por është një dokument që bërë që sot të kemi Fakultete në Kumanovë, Dibër, Kërçovë, Strugë e Shkup, të kemi Muzeun e Alfabetit në Manastir, të kemi përdorim të barabartë të gjuhës shqipe, përfaqësim adekuat të shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit. Me këtë dokument kemi bërë që vendi të mos jetë më shtet mono etnik, por përkundrazi, shtet demokratik dhe shumë etnik”, theksoi Ahmeti, mbrëmë në një tubim me qytetarët në Kumanovë.

Sipas tij, shqiptarët janë pjesë e shekullit të integrimeve dhe rruga e tyre është integrimi.

“Ne jemi përcaktuar për integrim të shqiptarëve në këtë shtet, në Evropë. Disa integrimin e shohin si asimilim, mirëpo si duket nuk e kuptojnë se integrimi paraqet moment të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë në këtë vend drejt proceseve euro integruese”, theksoi kryetari i BDI-së.

NOA/INA

KOMENTE