English

Buxhuku: Kasa fiskale edhe për biznese e vogla

Tiranë, 9 janar, NOA – Konfederata e Industrive të Shqipërisë vlerëson se jo të gjitha bizneset në vend po pajisen me kasa fiskale. Në një deklaratë për media Administratori i Konfindustria Gjergj Buxhu u deklaron se këto biznese po i shmangen detyrimit duke u paraqitur s’i biznes “i vogël”.

“Konfindustria shpreh shqetësimin, se mbështetur në të dhënat e ardhura pranë saj, ende një numër mjaft i madh biznesesh nuk janë pajisur me kasa fiskale, megjithëse detyrimi ligjor ishte brenda 31 dhjetorit 2010. Dukuria është e përhapur kryesisht në bizneset e ashtuquajtura të “vogla” dhe bizneset, që ushtrojnë aktivitet jashtë Tiranes si dhe disa qytete kryesore të vendit” tha Buxhuku.

Ai ka theksuar se Ministria e Financave duhet të marrë masat për të zbatuar ligjin.

“Konfindustria me cilësinë e institucionit nismëtar të vendosjes së kasave fiskale, kërkon nga ekzekutivi shqiptar dhe Ministria e Financave në veçanti, që të mos ngurroje në zbatim të ligjit për të pajisur gjithë llojet e bizneseve pa përjashtim përfshi edhe të ashtuquajturin “biznes i vogël” në të gjithë hapësirën e vendit, si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi”, tha Buxhuku.

Ai ka parashikuar dhe dëmet që mund të sjellë mos pajisja e bizneseve me kasa duke shtuar evazionin fiskal dhe shtuar pasojat shkatërruese për industritë prodhuese të rregullta të vendit.

“Konfindustria vlerëson, se pikërisht në hallkën e ndërprerë të pikës se lidhjes ligjore të tregtisë me pakice/biznes i vogël me konsumatorët fundore/qytetarët, ndodhin të gjitha rrjedhjet e shmangies financiare si edhe lindin trysnitë nga poshtë-sipër për prodhimin e evazionit fiskal në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri, që ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% te PPB”, tha Buxhuku.

Ai ka theksuar se formalizimi i ekonomisë kombëtare është qëllim strategjik me përmasa të vërteta shtetformuese, që kërkon mirëkuptim të gjithë ngjyrave të vendimmarrjes politike.

Konfindustria “përshëndet qëndrimin e opozitës për mbështetjen në parim të procesit të pajisjes me kasa fiskale për gjithë bizneset e vendit përfshi edhe tregtaret e pakicës. Është krejt e papranueshme, që Shqipëria të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian”, tha Buxhuku.

a.k/NOA

KOMENTE