Tiranë, 9 janar, NOA - Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, Ngozi Okonjo-Iweala do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë ditën e sotme.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë promovimi i “Agjendës së re të rritjes” për Shqipërinë dhe të shprehë mbështetjen që Banka i jep qeverisë, bazuar në Strategjinë e Partneritetit për Vendin.
Gjithashtu, ajo do të shprehë solidaritetin e Bankës me të dëmtuarit nga përmbytjet e fundit masive në zonën e Shkodrës si dhe do të diskutojë mbi mbështetjen e mundshme për zbutjen e rreziqeve në të ardhmen.
Gjatë vizitës së saj treditore, Ngozi Okonjo-Iweala do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si dhe përfaqësues të opozitës.
a.k.NOA