English

Gates viziton Pekinin, SHBA e shqetësuar për forcën ushtarake të Kinës

Pekin, 9 janar 2011, NOA - Me shpresën për një zbutje të marrëdhënieve të tendosura vitin e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ministri i Mbrojtjes së SHBA-ve, Robert Geits mbërriti sot në Pekin me një axhendë të rëndësishme takimesh. Kjo vizitë e tij në Kinë kryhet vetëm një javë para udhëtimit për në Uashington të presidentit Kinez Hu Xintao.

Gjatë qëndrimit të tij triditor në Pekin, ministri amerikan i Mbrojtjes do të takohet me presidentin Hu Xintao, krerë të lartë të ushtrisë kineze si dhe do të vizitojë një prej stacioneve bërthamore në vend.

Kina ndërpreu në mënyrë të befasishme marrëdhëniet ushtarake me Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2010, pas marrëveshjes 6 miliardë dollarëshe për shitjen e armëve, që Uashingtoni nënshkroi me Taivanin.

Sipas analistëve shqetësim për Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin është rritja e paparashikueshme e fuqisë ushtarake të Kinës, përveç forcimit të saj ekonomik.

Vetë ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Geits pranoi të shtunën se ritmi i zhvillimit ushtarak të Kinës, sidomos sa i përket aviacionit po mecën me hapa galopantë.

“Janë qartësisht në gjendje të vënë në rrezik potencialet tona ushtarake”- tha Geits, duke shtuar se “Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të përgjigjemi me programe akoma më të sofistikuara”.

Një tjetër shqetësim për amerikanët është gjuajtësi balistik kinez, i cili mund të shkatërrojë një aeroplanmbajtëse në një distancë 3 mijë e 200 km.

Axhenda e Geits në Pekin nuk parashikon bisedime për çështjen e Koresë së Veriut.

mit/NOA

KOMENTE