Gjirokastër, 9 janar, NOA – Një 22-vjeçar nga Gjirokastra është arrestuar sot pasi dyshohet si autor i një sërë vjedhjesh. Korrespodenti i Agjencisë NOA në Gjirokastër raporton se personi është Erion Stoka, banues në këtë qytet.
Ai është arrestuar mëngjesin e sotëm rreth orës 08.30 nga Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit. Stoka së bashku me një person tjetër me inicialet S.Ç, 29-vjeç, i cili është prangosur gjatë muajit shtator, vidhnin dyqane dhe lokale të ndryshme duke marrë të gjitha sendet e vlefshme.
Sipas policisë më datën 13 shtator dy të rinj kanë vjedhur në Lagjen Kordhocë të Gjirokastër lokalin e shtetasit R.R, nga fshati Lazarat.
Pasi kanë thyer xhamat e lokalit ata kanë marrë një televizor Plazma, një ekspres kafeje, një sasi lekësh, pije alkolike dhe freskuese si dhe disa steka cigare.
Vetëm një ditë më pas, në 14 shtator, dy të rinjtë kanë vjedhur duke thyer xhamat e lokalit, përballë fshatit Dervicjan lokalin e shtetasit N.M.
Ata kanë grabitur një televizor të markës “Filips”, 1 milion lekë të vjetra dhe shumë pije alkolike si uiski dhe verë.Sipas policisë dy të rinjtë dyshohen edhe për dy vjedhje të tjera që po punohet për dokumentin e tyre me prova ligjore.
a.k/NOA