Tiranë, 9 janar, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sot bashkëpunimin e Partisë Socialiste për votimin e ligjit për Gjykatën Administrative dhe reformën zgjedhje.
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela tha sot se opozita duhet të ngrihet në nivelin e përgjegjësive të saj përballë qytetarëve dhe të jap kontributin e munguar.
“Votimi dhe ngritja e Gjykatës Administrative është një nga hapat e parë që duhen ndërmarrë dhe për të cilat opozita duhet të ndërrojë mendje, pasi është një kërkesë e vetë biznesit, e vetë shoqërisë, por është njëkohësisht edhe një ndihmë e aleatëve tanë strategjikë e cila nuk mund të refuzohet”, tha përfaqësuesi i LSI-së.
Çela vlerësoi se është e nevojshme që të nis puna dhe për reformën zgjedhore si pjesë e angazhimeve të udhëzuara nga BE dhe PE.
“Fillimi i punës për reformën zgjedhore, si një kërkesë e Parlamentit Europian është një tjetër hap i cili duhet hedhur, dhe për të cilin opozita duhet të japë konsensusin e saj, pasi në kundërshtim nga sjellja e vitit të kaluar, tashmë ka ardhur koha për t’u treguar seriozë e të përgjegjshëm”, tha Çela.
Ai u shpreh se gjatë vitit të kaloi u vërejt mungesa totale e kontributit të opozitës për të bashkëpunuar.
“Nga opozita u ndoq një politikë bllokuese, dhe në mungesë të plotë të alternativave. Ndërkohë që këtë vit, është e domosdoshme një qasje tjetër nga ana e saj, e sidomos kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme. Opozita duhet të investohet pozitivisht në të mirë të interesave të vendit”, tha Çela.
a.k/NOA