Arizona, 9 Janar 2011 - Autoritetet amerikane që po bëjnë hetime rreth vrasjeve të djeshme me armë zjarri në shtetin jug-perëndimor të Arizonës, thonë se objektivi i autorit të incidentit ishte ligjvënësja Gabrielë Gifords.
Shefi i policisë që po merret me çështjen, u tha gazetarëve se personi i cili qëlloi me sa duket donte të vriste kongresisten Gifords, kur ai hapi zjarr jashtë një supermerkatoje, duke vrarë gjashtë persona, mes tyre një gjykatës federal dhe një vajzë 9-vjeçare.
40-vjeçarja Gifords ishte duke u takuar me zgjedhësit në kohën e ngjarjes. 19 persona u goditën nga plumbat.
Sot në mëngjes, zonja Gifords, e cila u godit në kokë, vazhdonte të ndodhej në reanimacion dhe mjekët shpresojnë se ajo është jashtë rrezikut për jetën.
Njerëz të afërt me hetimet thonë se autori i ngjarjes është 22-vjeçari Xhared Llafner, i cili mbahet në gjendje arresti.
Shefi i policisë tha gjithashtu se personi që shtiu mund të mos ketë vepruar i vetëm. Sipas tij, policia beson se Llafner erdhi në supermerkato me një person tjetër, i cili mund të ketë gisht në një farë mënyre.
Autoritetet thanë se janë në kërkim të një personi në të pesëdhjetat.