English

Opra feston hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN

Los Angeles, 9 Janar 2011 - Opra Uinfri festoi në Pasadena të Kalifornisë hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN. Miliona njerëz ndryshuan kanalin më 1 janar për të parë se çfarë do të ofronte rrjeti i ri i Opras.

Pavarësisht nga vlerësimet që jepen deri tani për rrjetin, Opra thotë se ajo nuk do të dekurajohet nga synimi që i ka vënë vetes me hapjen e rrjetit të ri OWN.

Drejtuesja e njohur amerikane e shfaqjeve televizive Oprah Uinfri festoi hapjen e rrjetit të saj të ri në Shoqatën e Kritikëve të Televizionit.

Mbrëmja festive e organizuar nga Opra u zhvillua në ambientet e hotelit luksoz Langam në Pasadena. Prezantuesja e njohur, e cila tani është 56 vjeçe, u shpalli gazetarëve synimin e saj për rrjetin e ri OWN.

“Ëndrra ime është që kanali i ri televiziv të shërbejë për ata që duan të japin maksimumin e tyre.”

Opra, e cila u ngrit nga varfëria dhe u bë e pasur, thotë se shpreson që kanali i saj të bëhet stacioni i preferuar për njerëzit nga i cili ata marrin energji pozitive. Të jetë interesant dhe stimulues.

Mikja dhe kolegia më e ngushtë e Uinfrit, Gajl King, komentoi gjithashtu mbi misionin që e nxiti Opran të krijonte rrjetin OWN.

“Synimet e saj kanë qenë gjithmonë të qarta. Fjalët “jeto jetën më të mirë që mundesh” nuk janë boshe për të. Opra nuk ka nevojë për punë apo para. Ajo është e motivuar nga dëshira e saj, sepse e di se ne të gjithë mund të jemi më të mirë.”

King, po ashtu 56-vjeçare, është prezantuese e “The Gayle King Show”, një prej disa programeve që tashmë e shohin rrjetin e Opras si shtëpinë e tyre.

Gazetarja kinezo-amerikane Lisa Ling ka gjithashtu serialin e saj në rrjetin OWN, një lloj dokumentari të titulluar “Amerika Jonë.” Ekspertja financiare Suzi Orman është po ashtu një personalitet i njohur që do të jetë pjesë e rrjetit. OWN zëvendësoi kanalin e rrjetit Discovery për shëndetin më 1 janar 2011 në stacionet kabllore dhe satelitore në Shtetet e Bashkuara.

Është hera e dytë që Opra Uinfri hyn në televizionin me kabllo. Ajo ishte bashkëthemeluese e kanalit Oxygen, të cilin ajo dhe partnerët e saj ia shitën rrjetit NBC Universal në vitin 2008.

Programi i saj famshëm “The Oprah Winfrey Show” do të përfundojë në shtator të këtij viti pas 25 vjetësh. Deri atëherë, Opra do të luajë rolin drejtues për të dy bizneset televizive. /rfe/

KOMENTE