English

PD: Organet e drejtësisë privilegjuan djalin e Arta Dades

Tiranë, 9 janar 2011, NOA –Partia Demokratike ka akuzuar sot organet e drejtësisë për privilegjim të padrejtë të djalit të deputetes socialiste Arta Dade, Besnik Dabullës, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës vendosi të japë masën e sigurisë me arrest shtëpie. Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha në një konferencë të posaçme për mediat theksoi sot se vendimi i trupit gjykues për mosdënim me burg të Besnik Dabullës është një akt banditesk, pasi djali i Arta Dades ka edhe precedentë të mëparshëm për drejtësinë. Deputeti i PD-së akuzoi djemtë e deputetes Dade se janë të lidhur me bandën e “Hakmarrjes për Drejtësi”.

“Pak muaj më parë u bënë publike në media lidhjet e djemve të Artës me “Hakmarrjen për Drejtësi”, eksponentë të së cilës janë kërkuar nga drejtësia shqiptare si të dënuar në formë përfundimtare. Reagimi publik i banditëve të Dades ishte ky, ‘Faleminderit mami për lidhjet dhe miqësitë që na ke krijuar’, citoi deputeti demokrat.

Sipas tij lënia e lirë e banditëve të këtij niveli, sikundër cilësoi ai djalin e Arta Dades, Besnik Dabullën, është një skandal për drejtësinë shqiptare dhe karshillëk ndaj ligjit, ndaj opinionit publik dhe mijëra shqiptarëve të ndershëm.

Në këtë kontekst deputeti i PD-së, Fatos Hoxha akuzoi në formë pyetjesh organet e drejtësisë se për të disatën herë po privilegjojnë bllokmenët e ri, që sikundër tha ai, po përgjakin rrugët e kryeqytetit.

Deputeti demokrat i bëri thirrje organeve të drejtësisë, Gjykatës dhe Prokurorisë të reagojnë ndaj krimeve të pasardhësve të ish-bllokmenëve, krime, apo plagosje e armëmbajtje pa leje, që të realizuara nga një qytetar tjetër do të ishin dënuar menjëherë.

Besnik Dabulla, djali i Arta Dades u arrestua para pak ditësh për plagosjen e nipit të ish-kryeministrit Adil Çarçani, Endrin Lufit, ngjarje e ndodhur në lokalin “Liburnia” në ish-bllok, një lokal që Dabulla e ka në bashkëpronësi.

Dabulla u prangos në dalje të spitalit ushtarak, kur pas plagosjes së Endrin Lufit e dërgoi atë për të marrë mjekim.

Por, në seancën e djeshme gjyqësore për këtë çështje, edhe pse prokurori i çështjes kërkoi një masë të rreptë sigurie për Dabullën me 20 ditë burg deri në mbyllje të hetimit, trupi gjykues vendosi t’i japë atij një masë të butë sigurie, me arrest shtëpie.

Ky vendim erdhi pasi avokati i Besnik Dabullës lexoi në gjyq një deklaratë të Endrin Lufit ku ai deklaronte se me Dabullën ishin miq shumë të mirë dhe se plagosja kishte ndodhur pa dashje.

Prokuroria e akuzoi Dabullën për veprën penale të plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje.

mit/NOA

KOMENTE