Tiranë, 9 janar 2011, NOA - Deputeti i Patisë Socialiste Taulant Balla reagoi sot ndaj deklaratës së ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Tomas Kantrimen lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe vendimit të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit. Balla tha se përfaqësuesi i Uashingtonit e bëri të qartë se kriza politike në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut dhe kompromisit nga klasa politike shqiptare.
“Me të drejtë zoti Kantrimen kërkon që kriza politike në Shqiperi të zgjidhet përmes dialogut nga vetë klasa politike shqiptare dhe është pikërisht kjo ç’farë Partia Socialiste është përpjekur të bëjë, përgjatë plot një viti e gjysëm betejë për të siguruar të drejtën e votës dhe transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit”- u shpreh deputeti socialist.
Balla nënvizoi se ka qenë mazhoranca e cila ka refuzuar vazhdimisht kompromisin dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita.
“Kemi ofruar zgjidhje pas zgjidhjesh, kompromise pas kompromisesh, të cilat kanë rënë ne veshin e shurdhët dhe sytë e verbër të nje pushteti, i cili duke refuzuar e mbajtur peng me çdo mënyrë transparencën dhe hetimin parlamentar ka dhënë provën më të qartë të një manipulimi të madh të procesit të fundit zgjedhor. Manipulim i cili s’mund, s’duhet dhe ne nuk do të lejojmë të përsëritet më”- theksoi më tej Balla.
Duke iu referuar premtimeve të kryeministrit për hetimin e materialeve zgjedhore sipas rezolutës së Parlamentit Evropian dhe mosdjegies së fletëve të votimit deri në përfundim të hetimeve nga komisioni, Balla akuzoi kreun e mazhorancës për mungesë të vullnetit politik.
“Kompromisit të fundit të bërë nga opozita shqiptare për zgjidhjen e krizës përmes nje hetimi parlamentar, identik me atë të kërkuar nga Parlamenti Europian ne Rezoluten e datës 8 korrik 2010. Sali Berisha iu përgjigj me të vetmen mënyrë që ai njeh, gënjeshtrën dhe trillimin. Në fillim tha se fletët e votimit nuk do ti digjte, por fletet e votimit u dogjën. Tha se ishte i gatshëm të votonte komisionin hetimor me shumicë të opozites, por komisioni nuk u ngrit kurrë”- deklaroi deputeti Balla.
Ai garantoi se Partia Socialiste dhe opozita e Bashkuar do ta vazhdojë betejën e saj për transparencën e votës dhe largimin e qeverisë Berisha.
“Partia Socialiste do të bëjë gjithcka për të larguar këtë pushtet të vjedhur, duke forcuar aksionin e saj opozitar, për të mos lejuar që një pushtet që vetë provoi se është një pushtet i vjedhur, të mos vazhdojë të vjedhë shqiptarët, njësoj sic po bën sot duke u shndërruar në modelin e korrupsionit dhe abuzimit”- tha në fund të deklaratës së tij deputeti socialist.
mit/NOA