Tiranë, 9 janar 2011, NOA – 7 vjet pas tragjedisë së 9 janarit të vitit 2004 kur 28 persona nga veriu i Shqipërisë humbën jetën në brigjet e Karaburunit në kërkim të një jete më të mirë, e ndërsa 8 vetë rezultuan të zhdukur në ujërat e Jonit familjarët e viktimave të tragjedisë kërkuan edhe sot zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Dhjetëra familjarë të viktimave të 9 janarit u tubuan në një protestë pranë kryeministrisë, ku i kërkuan autoriteteve të larta nxjerrjen përpara drejtësisë të funksionarëve të lartë të asaj kohe, të ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, që sipas familjarëve të viktimave lanë të mbyteshin në brigjet e Karaburunit 28 të pafajshëm që po kërkonin të largoheshin nga vendi për një cilësi jete më të mirë, një rrugëtim që ata e lanë në mes.
“Kërkojmë që në Shqipëri t’i hapet rrugë drejtësisë me qëllim që funksionarët e lartë të shtetit të jenë të hetueshëm, të vihen përpara drejtësisë. Kjo është e vetmja rrugë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha një nga familjarët e viktimave, duke i kërkuar kryeministrit Berisha, i cili në krye të herës në vitin 2004 kur ishte në opozitë u kishte dalë garant duke u thënë se do të bëhej avokat mbrojtës i tyre në zbardhjen e tragjedisë dhe vënies para ligjit të shkaktarëve të saj.
Familjarët i bënë apel kryeministrit të mbrojë këtë çështje, pasi prokuroria e nuk po nxjerr asnjë në dritë.
“Ne kërkojmë që kryeministri të hapë gojën dhe 9 janari të zbardhet, pasi për ne kjo nuk është demokraci, por ky është persekutim”, tha një tjetër familjar i viktimave të 9 janarit.
Me lajtmotivin, “Shkodër mos i harro bijtë e tu”, familjarët e viktimave të 9 janarit, që u ngjitën në bordin e një skafi dhe në mënyrë ilegale tentuan të kalonin kufirin shqiptar përdrejt Italisë të drejtuara nga shoqata “9 janari” kërkuan të ndërgjegjësojnë autoritetet e larta të politikës se premtimi i dhënë përpara zgjedhjeve të vitit 2005 ende nuk është mbajtur.
Ndërkohë katër vite më parë u arrestua në Itali edhe organizatori i këtij rrugëtimi klandestin, që u bë shkak për mbytjen e 28 vetëve nga qyteti i Shkodrës.
45 vjeçari Nazmi Hyka u arrestua në Borgo San Lorenzo të Firences në Itali ku mbante emër të rremë.
Ai në bashkëpunim me disa persona të tjerë organizuan këtë trafik ilegal drejt brigjeve italiane duke përfituar për secilin nga 28 personat 1500 euro.
Në tragjedinë e 9 janarit humbën jetën:
Liza Martini, 35 vjeçe Shkodër
Alfred Lleshi, 19 vjeç Shkodër
Paulin Pushimaj, 21 vjeç Shkodër
Tom Gjoni, 18 vjeç Shkodër
Gëzim Fusha, 18 vjeç Shkodër
Liza Prenga, 37 vjeçe Shkodër
Arben Prenga, 24 vjeç Shkodër
Rasim Miruku, 55 vjeç Shkodër
Besmira Miruku, 16 vjeçe Shkodër
Sadik Doçi, 24 vjeç Shkodër
Gëzim Kurtaj, 33 vjeç Shkodër
Oltion Jacaj, 23 vjeç Shkodër
Ridvan Lumaj, 16 vjeç Shkodër
Mark Ndou, 18 vjeç Shkodër
Tonin Toka, 19 vjeç Shkodër
Marlen Mhillaj, 20 vjeç Shkodër
Dritan Hetaj, 32 vjeç Shkodër
Agron Markaj, 24 vjeç Malësi e Madhe
Shpëtim Dizdari, 34 vjeç Pukë
Skafisti nga Vlora
TE ZHDUKUR
Ndue Sanaj, 21 vjeç Shkodër
Artan Sagrini, 33 vjeç Shkodër
Arian Gjilaj, 29 vjeç Shkodër
Marjana Zajeti, 18 vjeçe Shkodër
Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç Shkodër
Fahrije Mehemeti, 34 vjeçe Malësi e Madhe
Gjin Grizha, 19 vjeç Malësi e Madhe
Ermira Grizha, 16 vjeçe Malësi e Madhe
mit/NOA