English

Vetëvendosja: Procesi i rivotimit po manipulohet

Prishtinë, 9 janar 2011, NOA- Lëvizja Vetvendosja e Albin Kurtit ka kontestuar në mesditë procesin e rivotimit në komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan. Sipas kësaj lëvizje procesi ka filluar me parregullsi të shumta. Në deklaratën për shtyp kjo lëvizje, e cila u rendit e treta në zgjedhjet e 12 dhjetorit ka denoncuar një sërë parregullsish.

“Në Kopiliç të Poshtëm nuk i kanë lënë vëzhguesit e Vetëvendosjes të hyjnë në qendër të votimit. Gjatë përpjekjes për të hyrë në këtë Qender votimi vëzhguesit tanë kanë vërejtur se kutitë kanë qenë gjysmë të mbushura ende pa filluar mirë votimi diku rreth orës 07:05-07:10. Po ashtu është vërejtur se nuk ka llamba ultravjollce e as spray”- thanë përfaqësuesit e Vetvendosjes.

Sipas tyre, në orën 09:15 pas kërcënimeve verbale të vëzhguesve, vëzhguesit dhe komisioneri për çështje sigurie janë detyruar të tërhiqen nga qendra e votimit. Në deklaratë thuhet po ashtu se kjo është bërë për shkak për pamundësinë e vëzhgimit të procesit zgjedhor nga Lëvizja VETËVENDOSJA!

“Mos prania e vëzhguesve tonë ua mundëson mbushjen më të lehtë të kutive të votimit siç kanë filluar të bëjnë që në mëngjes”-theksohet në deklaratën për shtyp.

Vetevendosja ka akuzuar përfaqësuesit e PDK-së së Thaçit se kanë futur fletëvotime në kuti, një fakt ky i parë nga vëzhguesi i Vetëvendosjes.

“Në vendvotimin 0301X në Shkollën fillore “Rasim Kiqina” në Drenas, vendvotimi i parë në të cilin nuk kemi komisioner, vëzhguesi jonë i ka gjetur ata duke futur fletëvotime në kuti. Bislim Bislimaj, vëzhguesi ynë, i ka parë futjen e fletvotimeve. Ndaj tij është ushtruar trysni që ta ndryshojë deklaratën në media nga Bislim Zogaj i PDK-së, i cili i ka thënë që mos ta bëjë këtë punë të madhe. Në disa Qendra të votimit në Drenas, si në Abri, Baicë, Polluzhë dhe Qikatovë e re vëzhguesit ndërkombëtar i vizitojnë ato herë pas here, dhe sillen më shumë si mysafir se sa si vëzhgues”- sqarohet në deklaratën e Vetevendosjes.

Po ashtu theksohet se në shumë vendvotime tjera në Skenderaj dhe Drenas ka pasur kërcënime verbale nga persona të ndryshëm. Sipas kësaj lëvizjes vëzhguesve të saj nuk po u lejohet t’i shënojnë vërejtjet në Librin e Shënimeve të vendvotimit nga menaxherët e qendrave.

mit/NOA

KOMENTE