Prishtinë, 9 janar 2011, NOA – Pjesëmarrje e ulët e zgjedhësve është shënuar sot në Kosovë në rivotimet e pjesshme që po zhvillohen në pesë komunat ku ishin shfaqur parregullsi gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, në Deçan, Drenas, Skënderaj, Malishevë e Lipjan. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për shtyp deklaroi se të dhënat nga Komisionet komunale zgjedhore deri pas mesditës flasin se në Deçan kanë votuar 11.25 përqind e zgjedhësve, në Drenas 16.49 përqind e zgjedhësve, në Lipjan 17. 70 përqind, në Skënderaj 14.40 përqind e votuesve dhe në komunën e Malishevës 11.36 përqind e zgjedhësve kanë hedhur votën e tyre në kuti.
Kryetarja e KQZ-së së Kosovës theksoi se me këtë ritëm votimi numri i zgjedhësve që kanë dalë për të rivotuar është më i vogël në krahasim me zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Por, Daka nënvizoi sakaq se deri më tani procesi zgjedhor në të pesë komunat ka vijuar i qetë dhe nuk janë raportuar incidente serioze që dëmtojnë procesin e pjesshëm zgjedhor.
Në këtë kontekst, zonja Daka pohoi se janë hasur parregullsi në disa vendvotime, ku sipas gjasave komisionerë partiakë kanë tentuar të hyjnë nëpër qendrat e votimit duke përdorur autorizimet e vjetra të 12 dhjetorit, dhe jo ato të rejat me të cilat i ka pajisur komisionerët KQZ-ja në procesin e rivotimit.
Lidhur me këtë, zonja Daka apeloi sakaq që të gjithë anëtarët e Këshillave të vendvotimeve të emëruar nga KQZ-ja, dhe vëzhguesit e akredituar, të veprojnë sipas ligjit dhe rregullave të KQZ-së.
Më herët lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit kishte bërë me dije se përfaqësues të PDK-së po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet.
Për këtë arsye për të dhënat për parregullsi në fshatin Kopiliq të Ulët të Skënderajt, Daka nënvizoi se vëzhguesit e partive në këtë fshat që kanë patur autorizime të 12 dhjetorit, janë zëvendësuar me vëzhgues të rinj të akredituar nëpër qendra.
Por, parregullsi në zgjedhje ka vërejtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në drekë denoncoi se vëzhguesit e saj janë penguar të vëzhgojnë procesin e rivotimit, në vendvotimet në fshatrat Terstenik, Polluzhë, Orllat, si dhe në shkollën “Skënderbeu” në Drenas.
mit/NOA