Skënderaj, 9 janar, NOA - Nuk kanë munguar problemet në Kosovë edhe gjatë raundit të dytë të votimeve. Lëvizja Vetëvendosja deklaron se vëzhguesit e saj kanë hasur probleme në mëngjes në qendrën e votimit 2124b, shkolla fillore “Abedin Rexha” në Kopiliq të ulët, komuna e Skenderajt.
Sipas Vetëvendosjes, vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë Brenda me arsyetim se janë nga komuna të tjera e jo nga ajo e Skenderajt.
“Gjatë kësaj kohe disa vetura të militantëve të PDK-së janë endur atypari, duke i kërcënuar vëzhguesit e Lëvizjes Vetëvendosjes!”, deklaruan sot drejtues të Lëvizjes.
“Gjatë përpjekjes për të hyrë brenda vëzhguesit tanë kanë vërejtur se kutitë kanë qenë gjysmë të mbushura, si dhe mungonte sprajti dhe llampat ultra vjollcë”, theksojnë drejtues të Vetëvendosjes.
Probleme ka pasur dhe me punonjësit e policisë. Në njoftimin për mediat të Vetëveneosjes thuhet se polici Hajriz Idrizi me numër 4409, nuk i ka lejuar vëzhguesit të hyjnë dhe ka thënë se nuk mund te “bëj asgjë pa marrë urdhër nga komisioneri kryesor”. “Gjithashtu është kontaktuar polici i EULEX-it me numër 01818 i cili është njoftuar për ndodhinë, ai ka thënë se është aty vetëm për mbikqyrje ndaj policëve të Policisë së Kosovës”, theksojnë drejtuesit e Vetëvendosjes.
a.k/NOA