English

Berisha: Detyra jonë, shpërndarje e drejtë e të ardhurave

Tiranë, 10 janar 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha pas takimit me Drejtoreshën e Menaxhimit të Bankës Botërore Ngozi Okonjo Iweala deklaroi se Banka Botërore do të ndihmojë Shqipërinë për të tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga përmbytjet e pashembullta që pushtuan qytetin e Shkodrës dhe zonat rreth saj. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me përfaqësuesen e lartë të BB-së, zoti Berisha tha se diskutuan për bashkëpunimin në të gjitha fushat, në ndërtimin e infrastrukturës por, edhe në një sërë projektesh të tjera ku Banka Botërore ka një rol shumë të madh.

Shefi i ekzekutivit informoi se se e njohu përfaqësuesen e BB-së me vizionin e qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, andaj tha ai, "premtimet tona do të mbeten zhvillimet e mëtejshme të ekonomisë, bashkepunimin ne fushen e bujqesise, implementimi i projektit kombëtar të ullirit, i projektit për mbjelljen dhe prodhimin e frutave të arrave, shegëve, etj, si një përpjekje për ta shndërruar Shqipërinë në një vend prodhues të këtyre frutave”.

Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen BB-së për zhvillimet dhe projektet e saj në arsim, për të cilat kryeministri mori garancinë e ndihmës për reformën e mëtejshme në arsimin e lartë.

“U diskutua gjerësisht për minierat, pasi BB na ka dhënë një ndihmë shumë të çmuar në masterplanin e minierave, që ne po e zhvillojmë me shumë seriozitet. Diskutime patëm edhe për situatën makroekonomike, dhe unë e sigurova atë, se për qeverinë shqiptare rëndësi të madhe ka ruajtja e stabilitetit makroekonomik, sepse qëllimi ynë është që borxhi të mbahet nën 60 përqind”, siguroi kryeministri.

Ai theksoi se temë e veçantë në këto diskutime ishte Shqipëria dixhitale, për të cilën shefi i qeverisë u shpreh se “shpreha vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur biznesin në të gjitha fushat, si dhe për të ndërmarrë hapa në zgjerimin e lirisë së tregut dhe kompetitivitetit, si dhe për rritjen e pensioneve, ndihmën ekonomike”.

Duke folur për arritjet e ekonomisë shqiptare në kushtet e një krize globale kryeministri Berisha theksoi se “Ne kemi ulur tatimfitimin, kontributet shoqërore dhe nuk do të pranojmë që shqiptarët të paguajnë tarifa shumë disproporcionale në lidhje me tregun. Detyra e qeverisë është të nxisë atë sistem që bën të mundur një shpërndarje të drejtë të të ardhurave”, premtoi kryeministri Berisha. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE