English

Berisha telefonatë-video me Broumidis: Shërbimi 3G arritje për shqiptarët

Tiranë, 10 janar 2011, NOA – Ka qenë vetë kryeministri Sali Berisha, i cili sot në ditën e parë të nisjes së shërbimeve 3G në Tiranë nga kompania celulare Vodafone Albania, ka zhvilluar një telefonatë - video (video call) me Drejtorin e Përgjithshëm të kësaj kompanie, Haris Broumidis. Gjatë kësaj bisede, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Broumidis urimet e tij dhe vlerësoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e telekomunikacionit të Shqipërisë.

Shefi i qeverisë theksoi gjithashtu se nisja e shërbimit 3G është një hap shumë i rëndësishëm në prioritetet dhe përpjekjet e qeverisë për projektin “Shqipëria dixhitale”. Kryeministri Berisha gjatë bisedës vlerësoi faktin që Vodafone brenda një kohe shumë të shkurtër arriti të vërë në punë një nga sistemet më moderne të kohërave tona.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Përgjithshëm i Vodafone Albania Haris Broumidis e falenderoi Kryeministrin Berisha për vlerësimin e bërë dhe cilësoi privilegj të madh realizimin e kësaj telefonate - video të parë me të.

“Sot, ne po lançojmë zyrtarisht shërbimin 3G në Tiranë dhe tani jemi më të integruar me pjesën tjetër të botës, jemi më afër konceptit të globalizimit”, u shpreh gjatë telefonatës-video me kryeministrin Berisha, drejtori Broumidis.

Sipas tij, shërbimi 3G ka nisur të implementohet para dy muajsh, ndërsa sot ky shërbim i ofrohet zyrtarisht konsumatorëve në Tiranë.

Kompania Vodafone, - u shpreh Broumidis, - do të bëjë të mundur që për 18 muaj ky shërbim të ofrohet në çdo cep të vendit.

“Teknologjia 3G do të ndryshojë mënyrën sesi shqiptarët përdorin telefonin. Ata do ta përdorin për të qenë më të lidhur dhe më afër informacionit, më afër miqëve dhe familjarëve. Ky është një hap i madh drejt epokës së dixhitalizimit që, gjithashtu, është një prej prioriteteve të qeverisë suaj. Shumë faleminderit për këtë mundësi për realizimin e telefonatës së parë video personalisht me ju”, tha zoti Broumidis gjatë bisedës me Kryeministrin Berisha.

Shefi i qeverisë duke vlerësuar ofrimin e këtij shërbimi si një arritje shumë të madhe, i tha bashkëfolësit të tij se “ju e dini se sa përzemër e kanë shqiptarët komunikimin dhe padyshim, në këtë aspekt, është një treg i madh, një potencial i vërtetë dhe i madh”.

Në përfundim të telefonatës – video, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Broumidis dhe stafit të tij urimet për Vitin e Ri, si dhe i uroi fat të mbarë për të ardhmen.

mit/NOA

KOMENTE