English

Berisha, video-thirrja e parë zyrtare me drejtorin e Vodafone Albania

Kryeministri i vendit Z. Sali Berisha kreu sot video-thirrjen e parë zyrtare me Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, Z. Haris Broumidis

Tiranë, 10 Janar 2011 NOA/ R.Bulku - Kryeministri i vendit Sali Berisha kreu sot video-thirrjen e parë zyrtare me Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, Haris Broumidis. Berisha përgëzoi kreun e Vodafone Albania për fillimin e shërbimeve 3G, çka ai e vlerësoi një arritje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët:

“Zoti Broumidis është një rast i madh për mua për t’ju uruar. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e telekomunikacionit të vendit tim, por gjithashtu është një hap shumë i rëndësishëm në prioritetet dhe përpjekjet tona për Shqipërinë dixhitale. Në një kohë shumë të shkurtër ju arritët të vinit në punë një nga sistemet më moderne të koheve tona. Ju uroj dhe ju falënderoj shumë për gjithë suksesin tuaj të madh”- tha z. Berisha.

Nga ana e tij Drejtori i përgjithshëm i Vodafone Albania i shprehu kryeministrit falënderimin që rezervoi kryerjen e vide-konferencës së parë me të.

Më tej ai u shpreh se me nxjerrjen në treg të 3G në Tiranë dhe për 18 muaj në të gjithë territorin e vendit, Shqiperia hodhi një tjetër hap vendimtar drejt konsolidimit të urave të komunikimit të shoqërisë.

"Sot, jemi më afër konceptit te “ Fshatit Global” ku largësia fizike është pothuaj se inekzistente dhe sferat sociale zgjerohen më tej. Që sot jemi një komunitet më i bashkuar"- tha z. Broumidis.

Z. Broumidis u shpreh i lumtur që përpjekjet e Vodafone Albania për të ofruar risitë më të fundit teknologjike janë plotësisht të integruara me objektivat e qeverisë për ta futur plotësisht Shqipërinë në epokën dixhitale.

Rrjeti 3G është aktualisht operativ në kryeqytetin Tiranë dhe rrethinat e tij dhe Vodafone Albania garanton se do të ofroje një gamë të gjere shërbimesh inovatore me cilësi superiore. Kompania do të mbulojë me shërbimin 3G të gjithë vendin brenda 18 muajve

r.b/NOA

KOMENTE