English

Durrës, operacion për sigurinë në qytet, kapen 4 vetë me armë pa leje

Durrës, 10 janar 2011, NOA – Uniformat blu të Durrësit në vijim të planveprimit për ruajtjen e sigurisë në qytet kanë arrestuar në flagrancë katër persona gjatë kontrolleve të ushtruara për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, apo armëve sportive e të gjuetisë. Përkatësisht blutë e Durrësit kanë vënë në pranga 26 vjeçarin Lorenc Luku banues në Durrës.

Lukut gjatë orëve të vona të natës së datës 08.01.2011, ndërsa ishte në një lokal Lloto Sport, iu gjet me vete një armë zjarri, pistolete model 54 e kalibrit 7.62 mm dhe një krehër me 7 copë fishekë, të cilat i mbante pa leje.

Blutë e Durrësit kanë arrestuar edhe Dorian Beun, 32 vjeç edhe ky banues në Durrës, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Beu u arrestua pasi në natën e 09.01.2011, gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në një lokal në lagjen 13 të Durrësit atij iu gjet një armë zjarri pistoletë e modelit Smith me 3 copë fishekë, të cilat i mbante pa leje.

Po kështu është kapur edhe 26 vjeçari Edvin Gjoka, banues në Hamallaj në Durrës, të cilit gjatë kontrollit personal të ushtruar gjatë orës 01.00 të datës 10.01.2011 në një lokal, iu gjet një pistoletë Makarov së bashku me krehërin dhe 3 fishekë, të cilat i mbante pa leje.

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë një 22-vjeçar, banor i fshatit Manzë, të cilit gjatë kontrollit personal iu gjet e sekuestrua një armë sportive, të cilën e mbante pa leje.

Plani operacional me objekt parandalimin, evidentimin e goditjen e veprave penale kryesisht me përdorim të armëve të zjarrit, por edhe kapjen e personave në kërkim, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nga policia e qytetit bregdetar, për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe qetësinë publike në Durrës.

mit/NOA

KOMENTE